Shportat do të shpërndahen në ekonomi familjare dhe biznese

Shportat do të shpërndahen në ekonomi familjare dhe biznese

Në kuadër të bashkëpunimit disa vjeçar mes Komunës së Drenasit, përkatësisht Drejtorisë së Shërbimeve Publike dhe Emergjencë, GIZ-it gjerman si dhe organizatës GAC, të martën ndërmarrja regjionale “Pastrimi” ka pranuar një kontingjent prej 500 shporta të cilat kanë për qëllim grumbullimin e mbeturinave të riciklueshme.

Me këtë rast, drejtoresha e Shërbimeve Publike dhe Emergjëncë, Lumnije Krapi, ka falënderuar organizatën GIZ dhe GAC për bashkëpunimin e vazhdueshëm për të pasur një ambient sa me të pastër.

Shportat 220L do të shpërndahen në ekonomi familjare dhe biznese dhe kanë për qëllim ruajtjen e mjedisit dhe zvogëlimin e sasisë së mbeturinave në deponi.  Ky projekt për riciklim të mbeturinave në burim do të vazhdoj edhe në lokacione të tjera të Komunës së Drenasit, duke përfshirë të gjitha vendbanimet e territorit të Drenasit. Deri më tani, në këtë projekt janë përfshirë, të gjitha institucionet e Komunës së Drenasit, duke përfshirë edhe institucionet arsimore/shkollat, shumica prej zonave urbane dhe disa lagje në fshatra.

Komuna e Drenasit, pas shtrirjes qind për qind të grumbullimit të mbeturinave në të gjitha vendbanimet, tani është duke e implementuar projektin e riciklimit të ndarjes së mbeturinave në burim. Ky është një projekt i cili do të ndikoj drejtpërsëdrejti në përmirësimin e ambientit, veçanërisht në eliminimin e deponive ilegale të mbeturinave.