Bislimi ka nënshkruar dy marrëveshje me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë

Bislimi ka nënshkruar dy marrëveshje me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë

Ministri i Financave dhe Transfereve Besnik Bislimi, ka nënshkruar sot dy marrëveshje me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, ku njëra është marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Komisionit Evropian, për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin Fiskal 2020 të Bashkimit Evropian, si dhe marrëveshja tjetër për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin Dogana 2020 të Bashkimit Evropian.

Sipas një komunikate të MFT, marrëveshjet janë nënshkruar gjithashtu edhe nga drejtori i Përgjithshëm për Taksat dhe Unionin Doganor në Komisionin Evropian, Stephen Quest.

Pjesëmarrja e Kosovës në aktivitetet e këtyre dy programeve është në përputhje me objektivat, kriteret, procedurat dhe afatet e përcaktuara në Rregulloren (BE) Nr. 1286/2013 të Parlamentit dhe Këshillit Evropian, dhe Rregulloren (BE) Nr. 1294/2013 të Parlamentit dhe Këshillit Evropian. Programi „Customs 2020“ mbështet bashkëpunimin në mes autoriteteve doganore të BE-së si dhe vendeve kandidate dhe atyre potenciale kandidate. Ky program mundëson bashkëpunimin, trajnimin si dhe aktivitetet e përbashkëta të personelit doganor si dhe ofron financimin e sistemit të teknologjisë informative (TI) për të rritur shkëmbimin e informacionit në mes administratave doganore. Sa i përket programit “ Fiscalis 2020”, politika tatimore e BE-së jep një kontribut të rëndësishëm në luftën kundër mashtrimit tatimor dhe mbështet mbledhjen e të ardhurave për buxhetet e BE-së dhe të shteteve anëtare. Është një element kryesor në përpjekjet për të forcuar tregun e brendshëm të BE-së. Bashkëjetesa e sistemeve kombëtare të taksave ngre çështje të taksimit të dyfishtë dhe shtrembërimit të konkurrencës. Programi “Fiscalis 2020” ndihmon administratat tatimore në vendet pjesëmarrëse të gjejnë zgjidhje për këto sfida”, thuhet në komunikatë.

Nënshkrimi i këtyre dy marrëveshjeve, sipas ministrisë, është edhe një tregues për avancimin e Kosovës në procesin e integrimit evropian, si dhe i jep mundësi Kosovës, si vend kandidat potencial për anëtarësim në BE, të ketë qasje në përvojat dhe bashkëpunimin në këto dy fusha me shtetet e BE-së, dhe vendeve të tjera pjesëmarrëse në këto dy programe.