Tabelën e udhëheq Interi

Tabelën e udhëheq Interi

Futbollistët e Cagliari sot arritën të nxjerrin barazim në duelin me Sassuolon, derisa Fiorentina sërish pësoi humbje. Vendësit erdhën në epërsi prej dy golash në pjesën e parë, por nuk arritën të qëndrojnë deri në fund, duke u kënaqur në fund vetëm me një barazim.

Berardi ‘7 dhe Gjuriçiq ‘36 ishin autorët e golave për Sassuolo, derisa Joao Pedro ’51 dhe Ragazu ’90 për mysafirët. Skuadra vendase në këtë ndeshje humbi një penallti në minutën 66, pasi autori i golit të parë Berardi nuk arriti të shënojë. Cagliari me këtë pikë mbetet në vendin e katërt në tabelë me 29 pikë, katër më pak se Lazio në vendin e tretë.

Fiorentina nga ana tjetër pësoi humbjen e radhës, kësaj radhe në udhëtim në Torino. Vendasit festuan 2:1, me golat e Zaze ’22 dhe Ansaldi ‘72. Golin e vetëm për Fiorentinë e shënoi Caseres, pas  asistimit të Chiesa.

Genoa në përpjekje për të ikur nga zona e rrezikshme fitoi vetëm një pikë në udhëtim kundër Lecce-s (2:2), edhe pse kishte epërsi prej 2:0.

SPAL si vendës në ndeshjen tjetër pësoi humbje nga Brescia 0:1, me golin e vetëm të shënuar nga Balotelli në minutën 54.

Sonte luajnë edhe Sampdoria – Parma dhe Bolognia – Milan.

Pas 15 xhirosh, Interi udhëheq në tabelë me 38 pikë, pasuar nga Juventus me 36, Lazio 33, etj.