Meta shfuqizoi dekretin për datën e zgjedhjeve

Meta shfuqizoi dekretin për datën e zgjedhjeve

Vendimi i presidentit të Shqipërisë, Ilir Meta për anulimin e datës së zgjedhjeve dhe thirrjes së tij për ndërprerje të protestës, shtyu opozitën shqiptare ta mbyll protestën para kohës së paraparë.

Në fjalimin para selisë blu në mbyllje të protestës, kreu i PD-së, Lulzim Basha pati një apel për socialistët.

“Dështoi me turp përpjekja për zgjedhje moniste. Orët dhe ditët e ardhshme duhet të na gjejnë më në këmbë se kurrë, më të fortë se kurrë për ta çuar këtë betejë drejt fitores. Bisha e plagosur kriminale do bëjë gjithçka për të ndaluar grahmat e fundit të kufomës politike të organizatës kriminale të Rilindjes dhe kreut të bandës Edi Rama. Kur njerëzit bëhen bashkë për kauzën e drejtë nuk ka forcë që i ndal dhe nuk ka forcë që i mund”, tha Basha.

Basha shprehu vendosmërinë se nuk ka tërheqje pas, deri në fitimin e kësaj beteje deri në largimin e Edi Ramës.

“Pjesëmarrja është shenjë e qartë  e shumicës dërmuese të shqiptarëve që janë të vendosur për zgjedhje të lira dhe të ndershme, për Shqipërinë si gjithë Europa. Pjesëmarrja, bashkimi, qëndresa, vendosmëria është forca jonë dhe forca juaj. Rama ik! Është zëri juaj që kumboi nga Berlini në Bruksel, nga Londra në SHBA”, vlerësoi Basha.