Do të gjashtë-fishohen gjobat

Do të gjashtë-fishohen gjobat

Cigaret me shije mente apo vanilje do të hiqen nga tregu në Shqipëri.  Gjatë prezantimit të propozimeve për ndryshimin e ligjit “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu bëri të ditur se do të ndalohet konsumimi dhe i cigares elektronike në ambiente të mbyllura dhe do të gjashtë-fishohen gjobat deri në mbyllje aktiviteti për subjektet që shkelin ligjin në mënyrë të përsëritur.

“I çmojmë të domosdoshme këto ndryshime, jo vetëm për të përmirësuar kontrollin e duhanpirjes por për të dekurajuar pirjen e duhanit tek moshat e reja dhe për të reduktuar akoma më shumë duhanpirjen në tërësi, pasi, duhanpirja është një ndër tre faktorët madhorë të riskut për sëmundjen kronike në Shqipëri, të cilat përbëjnë shkakun kryesor të vdekjeve dhe paaftësisë”, tha ajo.

Kufizimet në këtë projektligj do të ketë edhe për përmbajtjen e nikotinës në cigaret elektronike.

“Veç ndalimit të konsumimit në ambientet e brendshme të cigares elektronike apo produkteve të reja të duhanit, sa i janë vendosur limite për përqendrimin e nikotinës dhe sasinë e lëngut me përmbajtje nikotine, me qëllim mbrojtjen e mëtejshme të konsumatorit nga kjo substancë që krijon varësi”, u shpreh Manastirliu.

Më shumë se 4 mijë vdekje çdo vit kanë shkaktar një sëmundje që ka si faktor risku duhanpirjen.