''Natyrisht që jam i kënaqur me suksesin e arritur, por po ashtu jam i kënaqur që asnjëri nga garuesit nuk pati probleme dhe kjo është më e rëndësishmja''

”Natyrisht që jam i kënaqur me suksesin e arritur, por po ashtu jam i kënaqur që asnjëri nga garuesit nuk pati probleme dhe kjo është më e rëndësishmja”

Naim Dashaj i AK Eurogoma RT, me Subaru, ka qenë bindshëm më i miri në garën e tretë të diciplinës malore, të kampionatit të sivjetmë të Kosovës në automobilizëm, e cila u zhvillua në shtegun e Pouskos, në afërsi të Prizrenit.

Megjithëse koha ishte me shi, ndërsa shtegu edhe ashtu është mjaf i vështirë, Dashaj i pati dy vozitje fantastike dhe në fund triumfoi me kohën e përgjithshme 05:00.047 minuta.

“Ndryshe nga dje, kur dy vozitjet provuese i zhvilluam në kohë me diell, sot patëm kushte krejtësisht të ndryshme. Duke marrë parasysh edhe karakteristikat e shtegut në Pousko, ishim të vetëdijshëm se do të kemi një garë të vështirë. Natyrisht që jam i kënaqur me suksesin e arritur, por po ashtu jam i kënaqur që asnjëri nga garuesit nuk pati probleme dhe kjo është më e rëndësishmja. Besoj që edhe në vazhdim të kampionatit do të arrij rezultate të mira”, ka thënë Dashaj.

Në fakt, gara në Pousko u dominua nga anëtarët e AK Eurogoma RT, pasi edhe dy vendet tjera në podiumin e fituesve në plasmanin e përgjithshëm u takuan garuesve të këtij klubi.

I dyti u rendit Valdet Krasniqi me Lancia, i cili në krahasim me Dashajn ishte më i ngadalshëm për 17.728 sekonda, ndërsa pozita e tretë i takoi Premtor Tarakut me Honda me +28.678 sekonda. Për Tarakun kjo ishte hera e parë që u gjend në podiumin e fituesve në plasmanin e përgjithshëm dhe gjithsesi që është një sukses i madh, duke marrë parasysh konkurrencën e madhe që po mbretëron në kampionatin e sivjetmë.

Rivalitet i madh është duke u zhvilluar edhe në klasën e pestë, në të cilën Gazmend Gashi doli i pari, duke lënë pas tij Faton Ramën dhe Ersen Kurtin.