Komuna e Prishtinës ka prezantuar në mënyrë të digjitalizuar afër 170 dokumente të historisë shekullore të qytetit, të ruajtura në Turqi

Komuna e Prishtinës ka prezantuar në mënyrë të digjitalizuar afër 170 dokumente të historisë shekullore të qytetit, të ruajtura në Turqi

Arkivi i Stambollit është duke digjitalizuar dokumentet e vjetra të cilat do të jenë pronë e arkivit të Kosovës në mënyrë të digjitalizuar. Kështu tha drejtori i Administratës në Komunën e Prishtinës, Muhedin Nushi, në konferencën e mbajtur të premten, me ç’rast u prezantuan një numër i vogël dokumentash që tashmë gjenden në Kosovë.

Ai u shpreh se deri më tani janë digjitalizuar 9817 dokumente, ndërsa, në Prishtinë kanë ardhur 169 dokumente. “Të gjitha dokumentet që kanë të bëjnë me emërtim të Prishtinës, kopja e tyre elektronike ose kopja e tyre digjitale do të transferohet në Arkivin Komunal, me ç’rast ne e pasurojmë edhe më shumë arkivin tonë dhe e hapim një kapitull të ri në zhvillimin e këtij institucioni të rëndësishëm në komunën tonë. Të gjitha këto dokumente të cilat i keni parë, aq sa ka arrit Arkivi i Stambollit me na përgatitë gjatë vizitës në Stamboll, vetëm një CD e kemi me gjithsej 36 dosje. Kemi marrë 36 dosje me 169 fletë dhe të gjitha ato dokumente kanë të bëjnë me periudhën e caktuara prej 1322 deri në vitin 1912. Unë jam duke folur vetëm për ato dokumente që tashmë i kemi marrë ”, tha ai, duke shtuar se gjatë muajit korrik pritet të kenë dosjen digjitale të plotë me dokumentet që i takojnë Komunës së Prishtinës.

Nushi theksoi faktin se Arkivi Komunal i Prishtinës posedon dokumente prej vitit 1945 deri në ditët e sotme. Ndërsa tha se fakti se ky arkiv do të pasurohet edhe me dokumente më të vjetra është i një rëndësie të veçantë për historinë e qytetit. “Arkivi ynë komunal, të gjitha dokumentet e veta që aktualisht i posedon, i posedon dokumentet për periudhën kohore prej vitit 1945 deri në ditët e sotme, por jo edhe para vitit 1945. Prandaj vet fakti që do t’i marrim këto dokumente në formë digjitale do ta pasuron jashtëzakonisht shumë dhe do ta ngrit nivelin e interesimit të studiuesve shkencor në të ardhmen për Arkivin Komunal tonin. … Po ashtu, kam informacione edhe se ka pasur regjistrim të popullsisë që do të jetë me vlerë jashtëzakonisht të madhe historike të shohim se si ka shkuar trendi demografik që nga periudha otomane e deri në ditët e sotme ”, u shpreh ai.

Ndryshe, Komuna e Prishtinës ka hapur një vegëz në faqen komunale ku qytetarët mund të shohin dhe të shkarkojnë dokumentet e vjetra të digjitalizuara.

Dokumentet e prezantuara sot, përfshijnë një telegraf dërguar mytasarrifit të Shkupit nga Prishtina me tematikë për shqiptarët e shpërngulur nga Serbia (1878), një njoftim për shumën e pagës prej 1020 kurusheve që kishte marrë Ali Riza Efendiu derisa ishte sekretar për ndriçim në zyrën e parë  komunale (1907), një deklaratë për nevojën e themelimit të një komune në nahijen e Bujanocit (1909), si dhe dokumente të ngjashme administrative, por që vjetërsia dhe periudha e datimit të tyre, bëjnë që ato të jenë një thesar historik i kryeqytetit.

Displaying

 

Displaying Displaying