Janë shpërndarë mirënjohje për personalitete të shquara

Janë shpërndarë mirënjohje për personalitete të shquara

Fakulteti i Edukimit Fizik dhe Sportit sot ka shënuar 40 vjetorin e themelimit, me ç’rast ka organizuar konferencën e dytë shkencore.

Shumë profesorë të huaj, si dhe nga Kosova ishin prezent në këtë organizim, ku padyshim që nuk ka munguar as kampionia olimpike e xhudos, Majlinda Kelmendi dhe trajneri i saj, Driton Kuka.

Dekani i Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit, Musa Selimi ka thënë se sot janë mbushur gjithsej 40 vite udhëtim që nga themelimi i këtij fakulteti. Dita e sotme, sipas tij, për të gjithë studentët, pedagogët si dhe për Universitetin e Prishtinës është një ditë krenarie.

I pranishëm ishte edhe presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, i cili në emër të Lëvizjes Olimpike të Kosovës ka uruar 40 vjetorin e themelimit, duke uruar që bashkëpunimi mes këtij fakulteti dhe KOK-ut të vazhdojë edhe më tutje.

Profesoresha nga Universiteti i Vjenës, Barbara Wesner ka thënë se në këtë 40 vjetor ky fakultet duhet të jetë shumë krenar për të arriturat e studentëve sepse po e ngrisin lartë flamurin e Kosovës në garat ndërkombëtare. “Po e shijoj me të vërtetë faktin që studentët e Universitetit të Prishtinës po dalin jashtë shtetit dhe ju duhet të jeni shumë krenarë me studentët e juaj”, është shprehur Wesner.

Kampionia olimpike e xhudos, Majlinda Kelmendi ka uruar 40 vjetorin e themelimit të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit në emër të të gjithë sportistëve. Ajo ka dhënë një mesazh për gjininë femërorë duke iu udhëzuar që të merren sa më shumë me sport.

“Një eksperiencë që e kam pasur këtu në një universitet privat në Kosovë e kam vërejtur që numri i gjinisë femërorë në krahasim me gjininë mashkullore në fakultetin e kulturës fizike është mjaft i vogël. Nuk do të thotë që duhet me qenë sportist që me qenë pjesë e këtij fakulteti, kështu që mesazhi im për femrat është që nëse kjo është ajo që ju pëlqen të mos hezitojnë aspak”, ka thënë Kelmendi.

Ndërsa trajneri i saj, Driton Kuka ka thënë se shpreson që ky fakultet të vazhdojë me punën e deritanishme, pasi sipas tij sukseset nuk do të mungojnë.

Gjatë kësaj ceremonie janë shpërndarë mirënjohje për personalitete të shquara të këtij fakulteti si dhe të sportit në përgjithësi në Kosovë.