Kampionati do të zgjasë deri më 11 gusht

Kampionati do të zgjasë deri më 11 gusht

Ka filluar Kampionati Evropian i Divizionit B për femra U20 në Prishtinë. Ky kampionat do të zgjasë deri më 11 gusht, kur edhe do të mbahet ceremonia mbyllëse dhe finalja e madhe.

12 kombëtare do të luftojnë për trofeun e çmuar, derisa vashat e Kosovës U20 për herë të parë marrin pjesë në një garë të tillë.

Synimi i tyre është të fitojnë përvojë, derisa mosha mesatare në ekipin e Kosovës është 17 vjeç.

Në ceremoninë hapëse të këtij kampionati morri pjesë edhe kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj, i cili u shpreh se ky organizim le të tregoj se Kosova mund të bëjë gjëra edhe më të mëdha.

Jam i gëzuar që jemi këtu bashkë me hap kampionatin Evropian U20. Falënderoj Federatën e Basketbollit që ka marrë këtë guxim për këtë organizim. Dhe shpresoj që ky organizim të tregoi se ne mund të organizojmë gjëra edhe më të mëdha“, tha Haradinaj.

Ndërkaq sekretarja e përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës tha se për FBK-në ky organizim është një privilegj i madh dhe se shpreson se gjithçka të shkoj si duhet deri në ditën e fundit atëherë kur edhe do të luhet finalja e madhe.

Është një privilegj i madh për Federatën e Basketbollit të Kosovës për të organizuar një ngjarje kaq të rëndësishme siç është FIBA U20 Kampionati Evropian, Divizioni B – femra. Është hera e parë që FBK organizon një Evropian të tillë në konkurrencën e femrave dhe kjo sa na bën përgjegjës na bën edhe shumë krenar sepse jemi të vendosur që të masovizojmë sportin e basketbollit por edhe të ngrisim cilësinë tek femrat” tha Dushku.

Më pas ajo ftoi Winfried Gintschel që në emër të FIBA-s ta hap edhe zyrtarisht këtë kampionat.

Vashat kosovare janë në grup me Turqinë dhe Rumaninë.

Takimet e para tanimë janë zhvilluar nga ora 16:30 në Palestrën “1 Tetori” dhe Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, kurse ndeshja e parë për Kosovën do të jetë pas pak ndaj Turqisë.

Çmimi i biletës do të jetë 1.00 për këta kampionati do të jetë 1 euro (një euro), dhe kjo biletë do të jetë ditore, pra me një euro mund ti shikoni të gjitha ndeshjet që zhvillohen gjatë ditës.

Kujtojmë që Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) ka vendosur më parë që të gjitha të hollat që do të grumbullohen nga shitja e biletave të FIBA U20 Kampionatit Evropian, Divizioni B – Femrat që do të organizohet në Prishtinë të jepen donacion për fëmijët e prekur nga sëmundja e fibrozës cistike.