Janë zhvilluar tri ndeshjet e radhës në play offin e NBA

Janë zhvilluar tri ndeshjet e radhës në play offin e NBA

Tri skuadra që kanë përparësinë e fushës, kanë arritur të realizojnë fitoret e radhës në play-off dhe që të trija kanë epërsinë prej 2-0 në seri ndaj kundërshtarëve të tyre.

Houston Rockets mposhtën bindshëm Utah Jazz me rezultat 118-98, ku edhe njëherë më meritori për ekipin nga Teksasi ishte James Harden me triple-double prej 32 pikësh, 13 kërcimeve dhe 10 asistimeve.

Rockets e dominuan takimin që nga çereku i parë e deri në fund, duke mos i lënë Utahs që asnjëherë t’i afrohet në rezultat. Ndeshjet e radhës tani do të zhvillohen në fushën e Jazz.

Rikthim fantastik i Boston Celtics, që fituan 99-91 ndaj Indiana Pacers, edhe pse u gjendën në disavantazh prej 12 pikëve në fillim të çerekut të katërt.

Protagonisti absolut i mbrëmjes ishte Kyrie Irving me 37 pikë në total, por vendimtar në skuadrën e drejtuar nga Brad Stevens rezultoi Jayson Tatum me 26 pikë, ndërsa për miqtë nuk mjaftuan 23 pikët e Bojan Bogdanovicit për të barazuar serinë.

Skuadra me rezultatin më të mirë në sezonin e rregullt në NBA, Milwaukee Bucs arriti të çonte në 2-0 serinë ndaj Detroit Pistons, duke triumfuar 120-99.

Të udhëhequr nga Eric Bledsoe 27 pikë, Giannis Antetokounmpo 26 pikë e 12 kërcime e Khris Middleton 24 pikë, Bucks treguan edhe njëherë forcën e tyre përballë skuadrës nga Detroiti.