Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot Federatën e Futbollit të Kosovës

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, ka vizituar sot Federatën e Futbollit të Kosovës

Kryetari i FFK-së, Fadil Vokrri, ka pritur ministrin Kujtim Gashi, dhe këshilltarin e tij Samir Hoxha, për të diskutuar rreth hapave të ardhshëm të bashkëpunimit.

Vokrri, tha se e vlerëson vizitën e ministrit dhe shpreson që përkrahja nga ana e kësaj Ministrie të mos mungojë as këtë vit.

“Diskutuam tema mjaft të rëndësishme për futbollin e Kosovës, si për infrastrukturën, stadiumin e qytetit ku pritet të zhvillohen shumë ndeshje të futbollit etj”, tha ai.

Ai po ashtu kërkoi nga ministri që objektin e FFK-së ta mbajnë për një periudhë më të gjatë kohore. Nga ana e tij, ministri Gashi theksoi se është i gatshëm të bashkëpunojë dhe ta fillojë memorandumin e ri trepalësh me komunat e Kosovës, Federatën e Futbollit dhe Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e gjithë kjo me qëllim që infrastruktura sportive të rregullohet dhe të fuqizohet futbolli.

“Ne për vitin 2018 kemi planifikuar një ligj të veçantë, që quhet ligji i menaxhimeve sportive”, tha ai.

Kjo ishte edhe vizita e parë e ministrit Kujtim Gashi në këtë Federatë.