Rossonerët pritet të bëjnë sërish ndryshime në stolin e trajnerit

Rossonerët pritet të bëjnë sërish ndryshime në stolin e trajnerit

Milani assesi nuk po rehatohet me trajnerët. E nisën sezonin me Vincenzo Montellan, por rezultatet e dobëta çuan në shkarkimin e tij. Më pas u emërua Gennaro Gattuso, por as ai nuk po ia del ta këndellë skuadrën dhe në fund të stinorit edhe ai pritet të largohet.

Drejtuesit e klubit qysh tash kanë nisur të mendojnë për njeriun e radhës që do të ulet në stolin e Milanit dhe sipas Corriere dello Sport, është Gianpiero Gasperini, ai që do të marrë timonin e ekipit.

Gasperini po bënë mrekulli me Atalantan, duke e shndërruar atë në ekipin më simpatik të Serie A. Sezonin e shkuar klubi nga Bergamo u rendit në pozitën e katërt në tabelë, kurse në këtë stinor ata janë gjysmëfinalistë të Kupës së Italisë, si dhe kanë kaluar fazën e grupeve në Ligën e Evropës.

Duke parë punën e mirë që Gasperini po bënë me Atalantan, te Milani shpresojnë që ta bindin për ta marrë drejtimin e kuqezinjve.

Për Gasperinin ky do të ishte një rikthim në qytetin e Milanos, pasi në vitin 2011 ai kishte drejtuar Interin për disa muaj, por ishte shkarkuar pas rezultateve të dobëta.