Sulmuesi francez nuk është i kënaqur me minutat që ka pasur në dispozicion këtë stinor

Sulmuesi francez nuk është i kënaqur me minutat që ka pasur në dispozicion këtë stinor

Olivier Giroud nuk është më zgjedhja e parë e trajnerit Arsene Wenger, pasi ardhja e Alexandre Lacazette në verë, ka bërë që ai të qëndrojë më shumë në bankën rezervë.

Giroud që në ndeshjen e së dielës ndaj Southamptonit hyri nga banka rezervë dhe ia siguroi Arsenalit një pikë me golin e realizuar në fundin e takimit, ka lënë të hapur mundësinë që të largohet gjatë dimrit në ndonjë skuadër tjetër ku do të mund të luante rregullisht, për t’i dhënë vetes mundësi të jetë në ekipin e Francës për Kupën e Botës.

“Kupën e Botës e kam në mendje pothuajse çdo ditë” , ka thënë Giroud për L’Equipe.

“Çdoherë që hyj në fushë mundohem të jem vendimtar, për t’i hapur vetes rrugë që të jem në ekipin e Francës”.

“Nga Arsenali nuk u largova gjatë verës, pasi nuk më pëlqyen ofertat që kisha marrë”.

“Nuk është në pyetje vetëm largimi im nga Arsenali, por çështja qëndron te skuadra që duhet ta gjej dhe për këtë do të pres janarin për të vendosur se çfarë do të bëj”, ka theksuar ai.