Edhe Gjakova solidarizohet me Shqipërinë

Edhe Gjakova solidarizohet me Shqipërinë

Komuna e Gjakovës ka ndarë 14 mijë euro si ndihmë për zonat e dëmtuara nga tërmeti në Shqipëri.

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini në bazë të kompetencave nxjerr këtë vendim për dhënien e mjeteve financiare në vlerë 14,000€ nga Komuna e Gjakovës për ndihmë për zonat e dëmtuara nga tërmeti në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjakovës.

Mjetet e ndara do të derdhen në xhirollogarinë e hapur nga Shqipëria për fatkeqësi natyrore.

Ndryshe, në Gjakovë organizata dhe dy tifogrupet e këtij qyteti prej ditës së djeshme po grumbullojnë ndihma për të gjithë të prekurit nga tërmeti. Sipas njoftimeve, kamionët e parë me ndihma janë dërguar mbrëmë, ndërsa sonte priten që të nisen të tjerë.

Përveç Gjakovës edhe komuna e Vushtrrisë ka ndarë 3 mijë euro kurse, Prishtina ka ndarë 50 mijë euro. Komuna e Mitrovicësa ka njoftuar se ka ndarë 20 mijë euro për ta ndihmuar Shqipërinë. Kryetari i komunës, Agim Bahtiri, tha se vendimi është marrë me qëllim që sado pak t’u dilet në ndihmë këtyre banorëve, të cilët janë përballur dje me lëkundje të forta tërmeti.

Ndërsa Qeveria e Kosovës për të prekurit nga tërmetit në Shqipëri ka ndarë 500 mijë euro.

Rreth orës 04:00 të mëngjesit në ditën e djeshme, Shqipërinë e goditi tërmeti me magnitudë 6.3 shkallë të rihterit me epiqendër në Tiranë. Ky tërmet dridhi edhe Kosovën, me lëkundje që u dëgjuan edhe në vendet tjera si Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina, Kroacia, Bullgaria dhe Italia. Raportohen se deri tani kanë mbetur të vdekur 29 persona në Shqipëri nga ky tërmet./21Media