Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini

Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini

Sot me rastin e 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës në qytetin e Gjakovës është vendosur gurthemeli për ndërtimin e lapidarit për të nderuar Brigadën 137 “Gjakova” në kodrën e Çabratit.

Në ketë ceremoni mori pjesë edhe kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini i cili tha se ndjehet krenar që ka qenë pjesë e kësaj brigade, ndërsa e pranoi se ky memorial është i vonuar por i lumtur që filloi së realizuari tani. Ndër të tjera, kreu i Gjakovës tha se ndjehet krenar për shtetin e Kosovës për të cilin, vijoi Gjini duhet të kujdesemi çdo ditë.

“E kemi një shtet të pavarur që duhet ta rregullojmë çdo ditë, sot të gjithë duhet të jemi të lumtur sepse për të arritur këtu është një mund i shumë e shumë dekadave. Një copë e imja do të ndihet gjithmonë krenar që kam qenë vete ran i 137 dhe luftëtar i 137. Urime 137-it, urime të gjithë veteranëve familjeve dhe familjeve të dëshmoreve”, tha Gjini.

Hekuran Hoda, njëri ndër ish-pjesëtaret e Brigadës 137, tregoi detajet e memorialit që do të ndërtohet në Çabrat të Gjakovës për Brigadën 137. Përmendorja do të jetë e gjatë 25 metra ku gjithashtu do të jetë një punim ku shfaqen një nënë me dy fëmijë ku tregon sakrificën e saj për t’i rritur dhe më pas për t’ia dhënë atdheut, njëjtë siç ka vepruar më të rënët e kësaj brigade.

Në kompleksin memorial është lënë hapësira edhe për varrezat e dëshmorëve, megjithatë do të jenë familjarët e dëshmorëve të cilët do të vendosin se në cilën pjesë do të prehen fëmijët e tyre dëshmorë.

Ndër të tjera, Hoda deklaroi se brenda kompleksit memorial do të ketë edhe një amfiteatër, një bibliotekë dhe një muze të vogël si dhe hapësirën për një kafiteri. Ky projekt është realizuar nga arkitekti nga Gjakova, Arben Duraku.

“Ky projekt është i ndërtuar nga arkitekti Arben Duraku një përmendore e lartë 25 metra, është një nënë ku i ka dy fëmije ku i rrit dhe ia fal atdheut. Kurse brenda kompleksit do të jetë një amfiteatër dhe një bibliotekë, një muze i vogël dhe një kafiteri kur kemi me raste do të shërbehen. Aty është një vend për varreza të dëshmoreve mirëpo kjo do të arrihet së bashku me familjet e dëshmorëve, se ku ata do të vendosin për t’i vendosur trupat e dëshmoreve dhe të heronjve”, deklaroi Hoda.

Ish-pjesëtarët e kësaj brigade kanë falënderuar kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjinin si dhe të gjithë asamblistët e Kuvevdit Komunal për kontributin për vendosjen e këtij gurthemeli.

Kryetari Gjini së bashku me bashkë luftëtarët bënë homazhe edhe te lapidari “Shokët e Lirisë” në qendër të qytetit të Gjakovës.