201 milionë dollarë për pesë vjet

201 milionë dollarë për pesë vjet

Lojtari kryesor i Golden State, Stephen Curry, do të nënshkruajë një kontratë të re me ekipin e tij për 201 milionë dollarë (175,9 milionë euro) për pesë vjet, një shifër rekord për një kontratë në NBA, shkruante shtypi amerikan.

Curry, 29 vjeç, bëhet kështu lojtari i parë në histori, i cili do të ketë një kontratë që kalon shifrën e 200 milionë dollarë, 40 milionë dollarë në vit. Sipas televizionit ESPN, drejtuesit e Golden State dhe agjenti i Curry kanë gjetur akordin disa minuta para nisjes zyrtare të periudhës së negocimeve për kontratat, të shtunën në orën 00.01, në New York.

Kontrata gjithsesi nuk është nënshkruar dhe do të zyrtarizohet para të enjtes së ardhshme.Kontrata e mëparshme e Curry ishte 11 milionë dollarë në vit. Lojtari më i mirë i Warriors ka fituar me ekipin kalifornian dy tituj të kampionit të NBA-së, në 2015 dhe 2017, në tre vjet.Ai ka fituar edhe trofeun e lojtarit më të mirë (MVP) të kampionatit të NBA-së dy herë, në 2015 dhe 2016.