Hajdari tha se ndikimi i taksës në realitetin ekonomik nuk ka qenë si ishte pritur

Hajdari tha se ndikimi i taksës në realitetin ekonomik nuk ka qenë si ishte pritur

Ministrja e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Rozeta Hajdari sot tha se largimi i taksës për lëndën e parë për produktet e importuara nga Serbia e Bosnja e Hercegovina ishte e domosdoshme për bizneset vendore.

Me largimin e taksës për lëndën e parë, ajo tha se Qeveria e Kosovës po dëshmon që është e përkushtuar në ruajtjen dhe fuqizimin e mëtejshëm të raporteve me aleatët kyç të Kosovës.

Hajdari tha se në fillim taksa 100 përqind është përkrahur nga të gjithë, por që tha se realiteti është ndryshe. Ajo deklaroi se ndikimi i saj në realitetin ekonomik të Kosovës nuk ka qenë si ishte pritur.

Ministrja Hajdari u shpreh se edhe pse disa biznese kishin arritur të gjejnë tregje zëvendësuese të importeve të lëndës së parë nga shtet tjera, kjo gjë atyre u ka krijuar kosto më të lartë të transportit për të gjitha lëndët e para, duke rezultuar pastaj me kosto të lartë në prodhim dhe krejt në fund duke rezultuar me çmime edhe më të larta për konsumatorët e Kosovës.

Ministrja pati një kërkesë për aleatët ndërkombëtar të Kosovës, që të bëjnë presion tek Serbia për ta ndalur fushatën e çnjohjeve.

“Qeveria e Kosovës ditën e djeshme veproj duke treguar vullnet dhe përkushtim, por që presim edhe nga aleatët ndërkombëtar që të bëjnë presion tek Serbia në drejtim të eliminimit të plotë të barrierave jo tarifore të aplikuara ndaj kompanive kosovare, si dhe të ndal lobimin e menjëhershëm agresiv të çnjohjeve për Kosovën”, tha Hajdari.

E para e Ekonomisë bëri të ditur se kanë bërë një grup punues, ku kanë mbledhur odat ekonomike, a leancat e bizneseve, doganat dhe klubin e prodhuesve, të cilët kanë punuar për t’i evidentuar barrierat që i ka Kosova për tregti me Serbinë dhe Bosnjën e Hercegovinën.

Në këtë konferencë për media, ajo dha detaje edhe për urdhëresën për mbarëvajtjen e veprimtarive ekonomike gjatë emergjencës së shëndetit publik, ku bëri të ditur se mbyllen veprimtaritë gastronomike si baret, pabet, kafiteritë, gjellëtoret, qebaptoret, restorantet e veprimtari tjera për shërbim të pijeve e ushqimeve.

Për shkak të krijimit të turmave, ajo tha se janë detyruar të ndërmarrim këto veprime. Ministrja Hajdari u shpreh se si Qeveri do të jenë afër bizneseve që këto kohë të përballje me pandeminë COVID-19 kanë pësuar humbje.

Sa i përket anesës së bizneseve rreth shoferëve të kamionëve, të cilëve u kërkohet të vetizolohen, Hajdari tha se janë duke e shqyrtuar propozimin që e ka dhënë që edhe transportuesit kosovarë të kenë hyrjen e lirë.