E para kjo në qytetin e Pejës

E para kjo në qytetin e Pejës

Organizata kulturore “Anibar” ka hapur Qendrën Frankofone, e para kjo në qytetin e Pejës, në kuadër të Kinemasë “Jusuf Gërvalla”. Hapja e kësaj qendre u mundësua përmes një marrëveshje bashkëpunimi ndërmjet Ambasadës franceze, Komunës së Pejës dhe Anibar, e cila u nënshkrua sot. Marrëveshja synon ofrimin e programeve edukative-kulturore në qytetin e Pejës.

Njëherësh Qendra Frankofone në Pejë do të shërbejë si urë lidhëse e organizatave të ndryshme në vendin tonë, me organizata të ndryshme në Francë. Ajo do të promovojë kulturën franceze, duke ofruar kurse të gjuhës frënge dhe aktivitete tjera kulturore-edukative.

Hapësira e Qendrës Frankofone është po e njëjta që përdoret edhe nga Akademia e Animacionit, e themeluar nga Anibar dhe është restauruar si pjesë e Kinemasë “Jusuf Gërvalla” në vitin e kaluar me financim të Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.