"Njerëzit janë në panik"

“Njerëzit janë në panik”

Ambasadori i Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani thotë se tani në Shqipëri ka nevojë për psikolog e trajtime mjekësore, për personat e prekur nga tërmeti.

Siç thotë ai, njerëzit janë traumatizuar dhe kanë nevojë të trajtohen, e gjithashtu ka nevojë për ekipe që bëjnë vlerësimin e objekteve, në mënyrë që të dihet se cilat janë të qëndrueshme për banim.

Në një intervistë për KP, Hasani ka përsëritur kërkesën e Qeverisë së Shqipërisë, që të mos dërgohen më ndihma me ushqime dhe rroba, dhe sipas tij, ka nevojë për trajtime mjekësore.

“Këtu kemi nevojë tash për tash mjek me pas, për terapi që njerëzit janë në panik, do të thotë psikolog që i duhen për trajtim dhe të njëjtën kohë, që ata njerëz kemi mundësi me i dërguar në spitale të ndryshme në Prishtinë apo Kosovë apo kudo t’i trajtojmë, dhe njëjtën kemi nevojë këtu me ardh me i pa që nesër do të vjen ekipa tjetër e specializuar për matje të objekteve, a janë të qëndrueshme apo jo, cilat objekte mund të kthehen për banim, ose nuk mund te kthehen për banim”, thotë Hasani.

Hasani thotë se ka nevojë të bëhet e ditur qëndrueshmëria e objekteve, ndërkohë tregon se nesër edhe ekipet e Forcës së Sigurisë së Kosovës do të dalin në teren për të bërë vlerësimet.

“Tash këtu është ekipa prej disa personave të Forcës se Sigurisë së Kosovës, që është Ushtria e Kosovës dhe nesër do të dalin ne terren me shtabin emergjent që është këtu. Nesër është ministri fuqiplotë këtu, ai është i organizuar në shtabin emergjent në Durrës. Janë vlerësime që duhet bëhen dhe të shohim cilat janë mundësitë tutje. Ne jemi të gatshëm për ndihmë, t’u dalim në ndihmë bashkëkombësve tonë të një gjuhe e të një gjaku”, thotë ai.

Tërmeti që goditi Shqipërinë dy ditë më parë, shkatërroi rreth pesë lokacione në Durrës dhe të tjera ndërtesa në Thumanë.

Lëkundjet e mëdha që shembën objektet, kanë zënë nën rrënoja shumë persona, prej të cilëve mbi 40 deri tani kanë humbur jetën, ndërkohë mbi 600 të tjerë kanë marrë lëndime.

Pas shkatërrimit të shtëpive, shumë familje po qëndrojnë në tenda në disa kampe që janë krijuar në këto vende, ndërkohë shumë të tjerë po kanë frikë të qëndrojnë në ndërtesat e tyre të banimit, për shkak të tërmeteve të njëpasnjëshme.