Shënohet Dita Botërore e Sportit dhe Mjedisit

Shënohet Dita Botërore e Sportit dhe Mjedisit

Me aktivitetin e mbajtur në sheshin “Zahir Pajaziti”, Komiteti Olimpik i Kosovës ka shënuar Ditën Botërore të Sportit dhe Mjedisit. Për dallim nga vitet e  kaluara, KOK këtë aktivitet sot e ka mbajtur me femrat sportiste dhe ato që janë të përfshira në fushat tjera të sportit, të cilat kanë qenë të përkrahura nga gratë e suksesshme të Kosovës nga të gjitha fushat.

Të pranishëm gjithashtu kanë qenë  figura të larta sportive, politike dhe kulturore, të cilat kanë performuar sporte të ndryshme, të improvizuara në aktivitet, kurse nuk kanë munguar edhe sportistet e tanishme të suksesshme të sporteve individuale, si dhe kampionet dhe fitueset e kupave në sportet ekipore.

Kryetari i KOK-ut  Besim Hasani tha se kanë vendosur që këtë aktivitet ta shënojnë me pjesëmarrjen masive të femrave për arsye se ato me të vërtetë e meritojnë të jenë pjesë masive e çdo sporti. “Qëllimi i kësaj dite botërore është që tërë aktiviteti sportiv qoftë duke praktikuar sportin apo në kampionate të ndryshme të zhvillohet në një mjedis të pastër. Prandaj jemi tubuar sot që pikërisht këtë ide këtë qëllim sublim ta promovojnë dhe kemi përzgjedhur për dallim nga vitet tjera, kemi përzgjedhur që sivjet të bëhet promovimi i femrës sepse komuniteti i sportit është 100% i mobilizuar që femra të jetë e përfshirë  ashtu siç e ka fal zoti do të thotë në çdo pjesë madje edhe në  borde ekzekutive deri në masën 50-50%”, tha Hasani.

I pranishëm në këtë aktivitet ishte edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi sipas të cilit KOK po vazhdon traditën për të shënuar këtë ditë, por tanimë me femrat sportiste. Me këtë rast presidenti e ka përmendur kampionen olimpike të Kosovës, Majlinda Kelmendin duke theksuar se çdo sportiste duhet t’i ndjekë hapat e saj. “Edhe në këtë ditë inkurajoj të gjitha femrat e Kosovës, që t’i ndjekin shembullin e Majlinda Kelmendit, Nora Gjakovës, Distria Krasniqit dhe shumë sportisteve tjera që e kanë ngritur flamurin e shtetit të Kosovës gjithkund në botë dhe e kanë ngritur flamurin e Kosovës duke fituar medalje e arta, pra duke dëshmuar atë më të mirën. Ju duhet të besoni në aftësitë tuaja, aftësitë tuaja kreative në mënyrë që të realizoni ëndrrat dhe potencialet që keni për aspiratat tuaja, aspiratat e shtetit të Kosovës për një imazh më të mirë”, tha presidenti i Kosovës.

Leonora Morina-Bunjaku nga Ministria e Kulturës dhe Sportit e përgëzoi Komitetin Olimpik për një organizim të tillë. “Në emër të Ministrisë së sportit ju përgëzoj për organizimin e ditës ndërkombëtare për ambient dhe sport dhe e veçanta e këtij viti, është sepse për herë të parë po organizohet aktivitet me femrat sportiste të cilat në vazhdimësi na bëjnë krenare me të arriturat e tyre në fushat e sportit, andaj krenaria jonë janë: Majlinda Kelmendi. Nora Gjakova, Distira Krasniqi , Donjeta Kosumi, Uta Ibrahimi, Mrika Nikqi e shumë e shumë të tjera”, potencoi ajo.

Pas aktivitetit të mbajtur në shesh drejtuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës në oborrin e rektoratit të Prishtinës kanë mbjellë pemën olimpike së bashku me rektorin dhe shumë sportiste të sporteve të ndryshme.