Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili thotë se gjatë mandatit të tij qeverisës kanë thyer rekord sa i përket ofrimit të shërbimeve

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili thotë se gjatë mandatit të tij qeverisës kanë thyer rekord sa i përket ofrimit të shërbimeve

Për këto të arritura, siç i quajti ai, thotë se nuk pret lëvdata nga Lëvizja Vetëvendosje, e cila një ditë më parë ka akuzuar atë për dështime, gjatë një konference për media.

Ministri i Shëndetësisë në largim, thotë se kohëve të fundit janë ngritur disa dyshime sa i përket stentimit 24 orëshe, për të cilin është thënë se nuk është funksional. U zotua se janë duke u ofruar shërbime 24 orëshe rekord, si asnjëherë më parë.

“Për t’u arritur kjo, është dashur së pari të luftohet korrupsioni, kjo dukuri negative e cila e ka rënduar kohë të gjatë sistemin shëndetësor, i cili ka qenë korrupsioni. Duke luftuar korrupsionin, po ashtu kemi krijuar edhe kushte të reja që të jepen shërbime të reja në sistemin shëndetësor. E kemi luftuar korrupsionin në barna, në furnizim me barna, në mëditje, apo kudo tjetër që ka rënduar jetën e qytetarit dhe shërbimin shëndetësor”, tha Ismaili.

Duke përmendur reformat, Ismaili në një konferencë për media tha se sot në Klinikën e Kardiologjisë Invazive, ofrohen shërbime 24 orëshe, për shtatë ditës radhazi.

“Në klinikën e Kardiologjisë Invazive, e cila ka një rëndësi të veçantë për arsye se sëmundjet e zemrës janë ndër më të shpeshtat dhe vdekshmëria e qytetarëve tanë vie më së shumti nga ato sëmundje. Kjo klinikë në të kaluarën ka punuar vetëm gjashtë orë në ditë, pesë ditë në javë. Sot pas reformave tona, punon 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë. Krahasuar me vitet paraprake, në vitin 2019 kemi 192 për qind më shumë operime kardio-kirurgjike, kemi 163 për qind më shumë stentime dhe 237 më shumë korneografi”, shton Ismaili.

Teksa ka folur për  akuzat e Lëvizjes Vetëvendosje ndaj këtij dikasteri, ministri Ismaili tha se nuk janë për t’u habitur, pasi kjo parti nuk ka reflektuar kurrë mirë për shëndetësinë në vend.

“Nuk pres nga Lëvizja Vetëvendosje që ta përçoj ose ta tregoj ndonjë sukses të Kosovës. Ashtu siç nuk ka treguar asnjë sukses asnjëherë të sektorit të shëndetësisë. Ata kanë vënë dyshime se stentimet në QKUK, nuk janë duke u bërë, ose nuk janë duke u bërë në mënyrë kualitative. Ajo çfarë na thonë neve shifrat është se këto janë shifra rekorde dhe kualitet që asnjëherë më parë nuk ka pasur në QKUK”, ka theksuar ai.

Deputetja e VV-së, Fatmire Kollçaku, një ditë më parë ka deklaruar se Ministria e Shëndetësisë është një prej dështimeve më të mëdha të ish Qeverisë. Sipas saj, po ashtu Kosova nuk ka ligj për transplantin e organeve.