Një tjetër arritje e madhe në karrierën e LeBron James

Një tjetër arritje e madhe në karrierën e LeBron James

Humbja e Cleveland Cavaliers nga San Antonio Spurs 102 :114 në “AT&T Center”, mbeti në plan të dytë nga një tjetër arritje prej legjende që arriti LeBron James.

Ylli i Cavs, që realizoi 28 pikë në këtë përballje, bëhet basketbollisti i 7-të në historinë e NBA që arrin kuotën e 30.000 pikëve në karrierë. Në fakt, “Mbreti” James, ka thyer edhe një rekord, sepse është basketbollisti më i ri në moshë që shënon një shifër të tillë pikësh (33 vite e 24 ditë).

Atij iu deshën vetëm 7 pikë për këtë objektiv, të cilin e arriti në fund të periudhës së parë, duke marrë edhe duartrokitjet e tifozëve të San Antonois. Sa i përket ndeshjesh, Spurs dominuan sidomos në periudhën e tretë, duke krijuar një avantazh prej 14 pikësh, për të fituar në fund me 12 pikë diferencë. U dallua në radhët e Spurs,  LaMarcus Aldrigde me 30 pikë.

Nuk gabojnë kampionët në fuqi, Golden State Warriors, që mposhtën në shtëpi New York Knicks 123:112.

Stephen Curry me 32 pikë ishte basketbollisti më efikas i Warriors, kurse Kevin Durant shtoi 14 pikë e 14 asistime, që është rekord në karrierën e Durant.

Pëson humbjen e katërt radhazi edhe skuadra kryesuese e Konferencës së Lindjes, Boston Celtics, që u mposht me vetëm një pikë diferencë, 107:108 nga Los Angeles Clippers.

Celtics lëshuan nga duart një avantazh prej 14 pikësh të krijuar në periudhën e dytë, kurse kalifornianët u kthyen shumë shpejt, duke ruajtur qetësinë në momentet më delikate të kësaj përballjeje të zhvilluar në “Staples Center”.