Institucionet e trashëgimisë kulturore të Maqedonisë së Veriut , Republikës se Kosovës dhe Shqipërisë janë të përgatitura për të bashkëpunuar

Institucionet e trashëgimisë kulturore të Maqedonisë së Veriut , Republikës se Kosovës dhe Shqipërisë janë të përgatitura për të bashkëpunuar

Këshilli i Kosovës për Trashëgimi Kulturore gjatë ditë së sotme ka organizuar një punëtori me përfaqësues të institucioneve të trashëgimisë kulturore nga dy shtetet fqinje, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Me këtë rast, u theksua nevoja që t’i kushtohet rëndësi të veçantë ruajtjes së trashëgimisë kulturore dhe për këtë të ketë një mbrojtje të përkohshme si masë paraprake.

Përmes një komunikate dërguar mediave, ky këshill njoftoi se përmes kësaj punëtorie do të ketë progres në aspektin e ruajtjes së trashëgimisë kulturore, pasi siç thuhet me anë të përvojave nga shtetet dhe bashkëpunimit do të zgjidhen problemet në mënyrë më të lehtë.

Pjesë e kësaj punëtorie ishte dhe kryetari i Komisionit Parlamentar Arsim, Shkencë, Teknologji, Kulturë, Rini, Sporte, Inovacion dhe Ndërmarrësi, Ismajl Kurteshi.

Sipas njoftimit ai kërkoi nga institucionet e Republikës së Kosovës që ti kushtohet rëndësi e veçante ruajtjes së trashëgimisë kulturore e cila nuk është në nivel të kënaqshëm.

Përfaqësuesi nga Maqedonia e Veriut, Afet Jashari theksoi se trashëgimia kulturore është shumë e nevojshme, pasi siç konsideron ai kultura është një ambasador në botë.

“Përfaqësuesi nga Maqedonia e Veriut z. Afet Jashari, përgëzoj KKTK për iniciativën e marre për bashkëpunimin me fqinjët në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore te të gjithë popujve të rajonit tonë. Pasi që trashëgimia kulturore është ambasador, ne do t’ju tregojmë botës se institucionet e trashëgimisë kulturore të Maqedonisë së Veriut , Republikës se Kosovës dhe Shqipërisë janë të përgatitura për të bashkëpunuar në të mirë të mbrojtjes se trashëgimisë kulturore”, thuhet në komunikatë.

Bashkëpunim më të madh kërkoi dhe drejtoresha e Programeve dhe Zhvillimit të Kulturës në kuadër të Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë, Konzeta Angjeliu.

Jam besim plotë se ky aktivitet do shërbej për forcimin e bashkëpunimit tashmë të ngritur në mes të institucioneve tona nëpërmjet kalendarëve kulturore si dhe krijimin e urave të reja të komunikimit në nivele specialistësh, të cilët merren direkt me fushën e trashëgimisë kulturore”, bën të ditur komunikata e tyre.

Ndërsa, drejtoresha e Departamentit të Trashëgimisë Kulturore në MKSR, Vjollca Aliu gjithashtu ishte entuziaste ndaj kësaj punëtorie duke e cilësuar si shumë të nevojshme.

Pas punëtorisë, sipas komunikatës të Këshillit të Kosovës për Trashëgimi Kulturore u realizua vizitë në Parkun Arkeologjik të Ulpianës dhe ne Manastirin e Graçanicës.