Përgjuesit ishin sa kokrra e orizit!

Përgjuesit ishin sa kokrra e orizit!

Përgjues shumë të vegjël të futur në kompjuterë amerikanë të prodhuar në Kinë, janë përdorur nga Pekini në një aferë të madhe vjedhjesh të sekreteve teknologjike amerikane, bëri të ditur sot agjencia amerikane e shtypit Bloomberg, e cila ka ndërmarrë një hetim të gjatë lidhur me këtë çështje.

Këta përgjues, jo më të mëdhenj se një kokërr orizi, janë përdorur në pajisjet e prodhuara për llogari të Amazon, e cila ishte kompania e parë që u njoftua nga autoritetet amerikane. Edhe Apple si dhe shoqëri të tjera dhe agjenci qeveritare mund të jenë prekur nga ky spiunazh industrial, shtoi Bloomberg.

Autoritetet amerikane kishin filluar që prej tre vjetësh një hetim të fshehtë, vazhdon ajo.

Autorët mendohet të kenë arritur të krijojnë “një derë sekrete” në kompjuterë, një hyrje më efikase dhe më e vështirë për t’u zbuluar se sa një procedurë e zakonshme piratimi informatik.

Duke folur për zyrtarë amerikanë pa përmendur emra, Bloomberg tregon se një njësi e Ushtrisë Çlirimtare të Popullit është përfshirë në këtë operacion. Kompjuterët e prekur janë prodhuar nga kompania amerikane Super Micro Computer, e cila ka një fabrikë prodhimi në Kinë.