U bisedua për marrëdhëniet e shkëlqyera të FSK-së me Gardën Kombëtare të Ajovës

U bisedua për marrëdhëniet e shkëlqyera të FSK-së me Gardën Kombëtare të Ajovës

Zëvendësministri në detyrë i Mbrojtjes, Burim Ramadani dhe komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama pritën sot në takime të ndara komandantin e ri të Gardës Kombëtare të Ajovës të SHBA-së, gjeneral majorin Benjamin Corell.

Në takim u bisedua për partneritetin e suksesshëm dhe konkret ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes/FSK-së me Gardën Kombëtare të Ajovës në kuadër të partneritetit shtetërorë ndërmjet Kosovës dhe Ajovës.

Ramadani e falënderoi gjeneralin Corell për mbështetjen e vazhdueshme dhënë Ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, si dhe e njoftoi lidhur  me procesin e tranzicionit dhe implementimin e Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, në mënyrë që FSK-ja të jetë sa më e gatshme për ngritjen e kapaciteteve dhe që në të ardhmen të jetë kontribuuese e paqes globale.

Në takimin e parë zyrtar në Ministrinë e Mbrojtjes ndërmjet komandantit të FSK-së gjenerallejtënant Rama dhe komandantit të Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneral major  Corell u bisedua për marrëdhëniet e shkëlqyera të FSK-së me Gardën Kombëtare të Ajovës, si dhe për gatishmërinë e dy institucioneve për vazhdimin dhe thellimin e këtij bashkëpunimi në të ardhmen.

Gjeneral Rama dhe gjenerali amerikan Corell nesër do të vizitojnë  Gardën Kombëtare të FSK-së në Pomozotin, ndërsa pritet të marrin pjesë edhe në takimin radhës të shefave të mbrojtjes në kuadër të Konferencës SHBA-Karta e Adriatikut që do të mbahet në Shqipëri.