"Po i bie që LDK e ka sikletin e emrave, jo të interesit të Kosovës"

“Po i bie që LDK e ka sikletin e emrave, jo të interesit të Kosovës”

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Glauk Konjufca ka thënë se është çudi e madhe përgjigja kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa pas letrës dhe ofertës që LVV i ka bërë për lidhje të koalicionit. Ai tha se është çudi se ku buron kjo frikë e LDK-së që të hyjë në koalicion, ku kandidatja e tyre do të kishte numrin 1 dhe do të ishte bartëse e listës.

Ai tha se LVV ka bërë gjithçka për këtë koalicion dhe se refuzimi i LDK tregon se kush ka qenë i sinqertë përgjatë përpjekjeve për këtë koalicion.

Konjufca tha se letra e Mustafës ishte një lloj mbyllje e derës për Vetëvendosjen dhe se diskutime me LDK-në do të ketë vetëm nëse do të ketë përpjekje nga LDK-ja.

“Ne e morëm letrën e z. Mustafa dhe ajo që ka shkaktuar letra e z. Mustafa është një çudi dhe një befasi në mesin e të gjithë qytetarëve të Kosovës, për arsyen se pse LDK-ja ka frikë faktikisht dhe nuk guxon me e krijua një bashkëpunim me VV-në, i cili do të qonte në një qeverisje të ardhshme dhe të sigurt për Republikën e Kosovës. Pra, ku buron kjo duhet ta pyesim vetën dhe qytetarët e Kosovës po pyesin, cila është arsyeja e vërtetë e këtij refuzimi dhe e kësaj frike që të shkohet së bashku me VV në një listë, ku bile Vjosa Osmani do ta kishte numrin 1 si bartëse e kësaj liste. Pra VV është shumë e sigurt në vetvete që ne po hynim në këtë garë të përbashkët dhe në një listë të përbashkët me LDK-në, e cila do të shkaktonte një fitore para vetës zgjedhjeve. Refuzimi i LDK-së tregon se kush ka qenë i sinqertë përgjatë gjithë përpjekjeve të krijimit të koalicionit. Jemi të bindur se do të shkaktonte një fitore. Ne kemi bërë gjithçka që është e mundshme si VV, fillimisht për hir të bashkëpunimit nuk e kemi vendosur në mënyrë të njëanshme Albin Kurtin si kryeministër qysh ka bërë LDK, së dyti kemi hequr dorë nga bartësi i listës dhe së treti i kemi lënë popullit që të vendos kryeministrin”, tha ai.

Ai tha se kanë mbetur të habitur se cilat do të mund të ishin arsyet që të refuzoheshin kushte të tilla.

Konjufca tha se arsyeja që e ka dhënë LDK-ja, se nëse pranohet oferta e tyre do të ishte një garë mes tyre dhe jo me PAN-in, sipas tij tregon se LDK-ja e ka sikletin e emrave.

“Po i bie që LDK e ka sikletin e emrave, jo të interesit të Kosovës. Sepse a është interes i Kosovës me e eliminua PAN-in dhe çfarëdo mundësie për PAN të ardhshëm. Mundësinë e PAN-it të ardhshëm do ta eliminonte një koalicion mes VV-së dhe LDK-së, pastaj emrin e vendos populli. Ne jemi ithtar që kryeministri i ardhshëm i Kosovës të jetë ai që ka më shumë vota, Albini ka qenë ai në 2017 dhe jemi të bindur se serish është. Kështu që LDK e mban një përgjegjësi për çka do që ndodh në këto orët e mbetura. Unë nuk po paragjykoj, mirëpo koalicioni mes LDK-së dhe LVV-së po të ndodhte do ta kishim një situatë të qartë politike ku askush më nuk do të kishte as llogari të bënte kalkulime të tjera se fitorja do të ishte e sigurt. Unë mendoj që kur nuk je e sigurt me hy në një koalicion të madh, me pas numrin 1 dhe me u frikësua që nuk bëhesh kryeministre, unë nuk e di çfarë kandidate je, nëse nuk e ke këtë siguri që në mesin e koalicionit, i cili ka me marrë më së shumti vota në Kosovë, e ke numrin 1 dhe nuk e ki sigurinë me hy në atë përparësi”, tha ai.

I pyetur se a ka qenë qëllimi i LVV-së që oferta e tyre të refuzohet nga LDK, në mënyrë që të rritet përkrahja për ta, Konjufca tha se kanë qenë të bindur se LDK do ta pranonte këtë mundësi.

Konjufca tha se nuk do ta pranojnë ofertën e LDK-së që të futen në një garë, ku Vjosa Osmani është kandidate për kryeministre. Sipas tij, kjo ka përfunduar me kundraofertën e tyre, të cilën e kanë pasur që kjo çështje të zgjidhet prej popullit.

Ai tha se LDK-ja nuk po e pranon kandidatin e tyre, ani pse ka qenë më i votuari në zgjedhjet e kaluara.