"Suksesi i mërgatës në Kosovë do të shërbejë si dëshmi për investuesit e tjerë të huaj"

“Suksesi i mërgatës në Kosovë do të shërbejë si dëshmi për investuesit e tjerë të huaj”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti sot në takim nënkryetarin e Parlamentit Evropian Rainer Wieland, me të cilin ka biseduar për tema të ndryshme, si zhvillimi ekonomik, luftimi i korrupsionit dhe investimet e huaja.

Nënkryetari i Parlamentit Evropian, Wieland, shprehu entuziazmin për formimin e qeverisë së re dhe për synimin e saj për ta luftuar korrupsionin, duke thënë se korrupsioni e rrit mosbesimin e qytetarëve dhe e bën të pamundur funksionalizimin e vërtetë të institucioneve.

Mes temave të tjera të përmendura prej Wieland ishin shkëmbimi i përvojave në fushën e arsimit, vënia e theksit në politikat komunale, nxitja e edukimit në fushën e administratës publike si dhe nxitja e prodhimit vendas.

Ndërsa, kryeministri Kurti nënvizoi se investimet nga jashtë ndihmojnë strukturimin e ekonomisë së brendshme.

“Pikënisje është mërgata e cila duhet të ndjehet e sigurt. Investimi i saj do të gjejë këtu punën dhe ligjin. Suksesi i mërgatës në Kosovë do të shërbejë si dëshmi për investuesit e tjerë të huaj. Për punën vlen modeli i sistemit dual, sipas përvojës së Gjermanisë, Austrisë dhe Zvicrës. Ndërlidhja e arsimit cilësor me korrektësinë e tregut të punës përbën një strategji që e tejkalon mandatin elektoral”, u shpreh ai.