"Tash e tutje qytetarët do t’i shohin veprat tona dhe punë të tona të ndershme, për të cilat do të krenohet secili prej tyre"

“Tash e tutje qytetarët do t’i shohin veprat tona dhe punë të tona të ndershme, për të cilat do të krenohet secili prej tyre”

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) sonte në mesnatë hapi zyrtarisht fushatën zgjedhore për zgjedhjet e 6 tetorit.

Vjosa Osmani, kandidate e LDK-së për kryeministre, duke shprehur bindjen për fitoren e LDK-së tha se kjo parti është parti e qytetarëve, ndërsa të tjerat parti janë të pronarëve. Osmani në hapje të fushatës tha se fitorja e LDK do të jetë historike.

“Tash fillojmë me fitoren historike të LDK-së dhe të Kosovës. Natyrisht që fitorja e LDK-së është edhe fitorja e Kosovës. LDK është e vetmja parti e qytetarëve, sepse të tjerët janë parti me pronarë. Tash e tutje qytetarët do t’i shohin veprat tona dhe punë të tona të ndershme, për të cilat do të krenohet secili prej tyre”, tha Osmani.

Ndërsa, shefi i shtabit zgjedhor në LDK, Lutfi Haziri duke ftuar simpatizantët e LDK në tubimin elektoral për të prezantuar kandidatët për deputetë, tha LDK do të jetë fituese në këtë zgjedhje, ndërsa, pati një porosi për partitë tjera.

“Sot në orën 19:00 në mbrëmje, Prishtina, zbritni në shesh në papuqe… Manifestiki më i madh që ka me ndodhë sot në Prishtinë, është falë juve, ne ju mirëpresim, e atyre të tjerëve ju themi: fleni – fleni”, tha Haziri.

Fushata zgjedhore do të zgjatë dhjetë ditë, deri më 4 tetor, derisa zgjedhjet parlamentare do të mbahen më 6 tetor.