"Të gjitha komunat e Kosovës janë të gatshme t’i strehojnë gjithë ato familje që kanë mbetur pa kulm mbi kokë"

“Të gjitha komunat e Kosovës janë të gatshme t’i strehojnë gjithë ato familje që kanë mbetur pa kulm mbi kokë”

Koordinatori Kombëtar i dy qeverive shqiptare, Fatmir Limaj ka thënë se të gjitha komunat e Kosovës janë të gatshme t’i strehojnë të gjitha ato familje që kanë mbetur pa kulm mbi kokë.

Limaj ka bërë të ditur se e ka njoftuar qeverinë shqiptare dhe se agjensionet tona të transportit kanë vënë në dispozicion autobusët e tyre për t’i sjell në Kosovë të gjithë ata qytetarë që vendosin të strehohen në vendin tonë.

“Të gjitha komunat e Kosovës janë të gatshme t’i strehojnë gjithë ato familje që kanë mbetur pa kulm mbi kokë. Ne kemi njoftuar Qeverinë shqiptare, po ashtu agjensionet tona të transportit kanë venë në dispozicion autobusët e tyre për t’i sjell në Kosovë të gjithë ata qytetarë që vendosin të strehohen në Kosovë. Pra, përveç njësive të specializuara që u kanë dalë në ndihmë vëllezërve e motrave tona matanë kufirit, Kosova dhe qytetarët e saj janë gati dhe kanë hapur dyert për strehim.”, ka bërë të ditur Limaj.

Shqipëria në mëngjesin e sotëm është tronditur nga disa tërmete të forta të njëpasnjëshme, me pasoja në njerëz dhe dëme të mëdha materiale. Numri i i viktimave nga tërmeti ka shkuar në 21, ndërsa raportohet për qindra të lënduar. Në mesin e viktimave që kanë humbur jetën nga tërmeti në Shqipëri janë edhe dy vëllezër nga Gjilani.

Kjo ngjarje ka tronditur jo vetëm Shqipërinë, por edhe vendet e rajonit, të cilat kanë ngushëlluar dhe mbështetur popullin shqiptar. Për tërmetin e sotëm, i cili u ka marrë jetën e dhjetëra njerëzve është shkruar edhe nga mediat prestigjioze botërore, CNN, BBC, The Guardian, etj.