"Ndihem krenar që kam qenë pjesë e juaja"

“Ndihem krenar që kam qenë pjesë e juaja”

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj ka pritur sonte në takim anëtarët e Batalionit shqiptaro-amerikan “Atlantiku” të UÇK-së në qytetin e Prizrenit.

Limaj tha se është emocion i veçantë për të takimi me bashkëluftëtaret e tij në 20-vjetorin e operacionit “Shigjeta”.

Kënaqësi e jashtëzakonshme dhe emocion i veçantë ta mbyllja ditën në qytetin e Prizrenit me bashkëluftëtarët e mi të Batalionit shqiptaro-amerikan “Atlantiku”. Bashkërisht evokuam kujtime në 20-vjetorin e operacionit “Shigjeta”. Pjesëtarëve të Batalionit “Atlantiku” ua shpreh mirënjohjen time, të cilët para 20 vjetësh lanë gjithçka që kishin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut. Shqiptarët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë përcjellë traditën shekullore duke i dhënë zë Kombit, duke punuar për Kombin dhe, Liria të cilën e gëzojmë sot, ka arritur falë edhe kontributit të madh të diasporës. Pjesëtarëve të Batalionit “Atlantiku”, u urova qëndrim të këndshëm në vendlindje.“, ka shkruar ai në rrjetin social, Facebook.

Ndër të tjera Limaj ka thënë që ndihet krenar që ka qenë pjesë e tyre.

Gjatë ditës presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta ka dekoruar Batalionin shqiptaro-amerikan “Atlantiku”.

Në nderim të kontributit dhe sakrificës së batalionit “Atlantiku”, Kosova është mbushur me flamuj kombëtar./21Media