Humbje befasuese për Houston Rockets dhe Boston Celtics

Humbje befasuese për Houston Rockets dhe Boston Celtics

Dy skuadrat kryesuese të dy konferencave në NBA u mundën brenda një nate nga ekipe të një niveli më të ulët se ato.

Rockets u ndalën pas 14 fitoreve rresht duke prishur këtë seri, pas humbjes nga Los Angeles Lakers në Toyota Center të Houstonit me rezultat 116:122.

Paraqitjen fantastike të James Harden i cili realizoi 51 pikë nuk mundën ta përcjellin shokët e tjerë të skuadrës dhe kësisoj Rocekts u mundën për të pestën herë këtë stinor. Te Lakers shkëlqeu Kyle Kuzma me 38 pikë të realizuara.

Humbje e papritur edhe për Boston Celtics në TD Garden Arena ndaj Miami Heat. Kryesuesit e Lindjes u dorëzuan në fund me vetëm një pikë diferencë 89:90. Pas një fillimi të vështirë, skuadra nga Florida arriti të reagonte falë paraqitjes së mrekullueshme të Kelly Olynyk, që realizoi 32 pikë, ndërsa te Celtics 33 pikët e Kyrie Irving këtë radhë nuk mjaftuan për të shmangur disfatën.

Humbjen e Rockets e shfrytëzon, Golden State Warriors që tani i afrohet në vetëm një fitore në renditjen e Konferencës së Perëndimit.

Kampionët triumfuan 97:84 ndaj Memphis Grizzlies. Në skuadrën e Steve Ker edhe njëherë u treguan dyshja Klay Thompson –Kevin Durant me 51 pikë në total. Marc Gasol në anën tjetër realizoi 21 pikë për Grizzlies. Warriors po tregojnë sa janë të fortë edhe këtë stinor ndonëse ka disa ndeshje radhazi që luajnë pa Stephen Curry dhe Draymond Green, të dy të lënduar.