Vendimi është shqyrtuar për më shumë se një vit

Vendimi është shqyrtuar për më shumë se një vit

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të ndalojnë përdorimin e cigareve elektronike me shijen e mentes dhe bimëve, pas shqetësimeve që ka ngjallur përdorimi i tyre nga adoleshentët.

Vendimi është shqyrtuar për më shumë se një vit. Koreja e Jugut, India dhe Brazili janë në mesin e dhjetëra vendeve të cilat e kanë ndaluar tashmë përdorimin e cigareve elektronike.

Sekretari për Shërbimet Shëndetësore, Alex Azar thotë se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump i është përgjigjur shqetësimeve për rritje të varësisë ndaj produktit të ri.

“Duke kthyer në prioritet marrjen e masave ndaj produkteve që përdoren shumë nga fëmijët, veprimet tona synojnë të shënojnë një ekuilibër të shëndetit publik”, është shprehur ai.

Rregullatorët shëndetësorë në Shtetet e Bashkuara thonë se 55 persona kanë vdekur dhe më shumë se 2 mijë e 500 të tjerë janë shtruar në spital si pasojë e problemeve të lidhura me cigaret elektronike.

Trump pati thënë shtatorin e vitit të kaluar se SHBA-ja do të ndalojë të gjithë llojet e cigareve elektronike përveç asaj tradicionale, por administrata e tij më vonë u tërhoq për shkak të presioneve të industrisë së duhanit.

Së fundi, autoritetet amerikane vendosën ta rrisnin në 21 vjeç moshën e blerjes së cigareve, e në këtë rregull përfshihen edhe ato elektronike.