"Fitorja e jonë në këto zgjedhje do ta kthejë Kosovën plot dinjitet në hartën e vendeve të lira"

“Fitorja e jonë në këto zgjedhje do ta kthejë Kosovën plot dinjitet në hartën e vendeve të lira”

Lidhja Demokratike e Kosovës ka mbledhur sot qytetarët në sheshin kryesor të Prishtinës, ku ka shënuar ditën e parë të fushatës zgjedhore.

Aty kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se Kosovën në mandatin e ardhshëm do ta qeverisë LDK në krye me Vjosa Osmanin, për të cilën tha se do të marrë vendime të mëdha, në të cilat e ka përkrahjen e plotë të LDK-së.

Mustafa shtoi se kanë vendosur që me përkushtimin më të madh të qeverisin me Kosovën, në krye me Vjosa Osmanin.

“Me përkushtimin më te madh LDK ka vendosë të qeverisë Kosovën në mandatin që po vjen. Dhe s’ka askush që na ndal që ne të qeverisim. Ne kërkojmë ta kemi përkrahjen e qytetarëve të Kosovës, që ta qeverisim mirë këtë vend, që ta çlirojmë ketë vend nga korrupsioni, nga gërryerja e brendshme, të tregojmë që ne mund t’ia dalim, mund ta bëjmë një shtet me vlera demokratike. Ne do të arrijmë të thellojmë bashkëpunimin me të gjitha vendet e BE-së, dhe të bëhemi pjesë e BE-së. Ne do të thellojmë miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si aleatin tonë kryesor. Do u ofrojmë gjithë qytetarëve punë, shkollim të mirë, perspektivë më te ardhmen”, tha Mustafa.

“Çdo pëllëmbë e këtij vendi është territor i Republikës së Kosovës dhe i takon Republikës së Kosovës. Ky është qëndrimi i LDK-së dhe këtë qëndrim do ta respektojë qeveria e ardhshme në krye me Vjosa Osmanin”, shtoi ai.

Ai tha se Vjosa Osmani si kryeministre do ta ketë përkrahjen e plotë të LDK-së për vendimet që do t’i marrë, që siç tha ai Osmani do të marrë vendime të mëdha, mbi bazën e ligjit dhe kushtetutës së Kosovës.

Vjosa Osmani, e cila synon të udhëheq ekzekutivin, ka deklaruar se asgjë nuk e ndalë fitoren e LDK-së.

Kandidatja për kryeministre nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Vjosa Osmani në ditën e parë të fushatës zgjedhore ka thënë se ora e ndryshimit të madh po vjen.

“Nuk ka asgjë në botë që mund ta ndalë rrugën që e kemi nisur, rrugën e fitores. Në si popull kemi kaluar nëpër sfida të cilët i kemi kaluar falë vizionit largpamës të presidentit historik Rugova dhe falë sakrificës për liri. Përkulëm para sakrificës së familjes Jashari dhe gjithë heronjve dhe heroinave”, tha ajo.

Osmani tha se LDK po hyn në këto zgjedhje më e bashkuar se kurrë, sipas saj, sikur në kohën e Ibrahim Rugovës. “LDK ashtu si në kohën e Rugovës po hyn në këto zgjedhje më e bashkuar se kurrë dhe e vendosur për fitore. Atë ditë, më 6 tetor, mbaje mend se do të çliroheni nga ata që rrënuan besimin në institucionet e Kosovës. Fitorja e jonë në këto zgjedhje do ta kthejë Kosovën plot dinjitet në hartën e vendeve të lira. Ne sot dalim para jush qytetar me një program Politik qeverisës modern, që fokusohet në interesat vitale të qytetarëve”, tha Osmani.