Koalicioni Nisma Socialdemokrate-AKR-PD tubim në Gjilan

Koalicioni Nisma Socialdemokrate-AKR-PD tubim në Gjilan

Kreu i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli ka thënë se kjo fushatë është e propagandave dhe gënjeshtrave, ku secili vetëm premton. Sipas Pacollit, liderët kanë premtime e fjalë bosh, ndërkohë që AKR vepron.

Para simpatizantëve në Gjilan, Pacolli foli për liberalizimin e vizave, që sipas tij Kosova nuk e ka si pasojë e politikanëve të korruptuar në qeveri. Pacolli tha se AKR asnjëherë nuk e ka ndryshuar kursin e saj.

“Kjo fushatë për mua është fushatë e madhe e propagandave, një fushatë e gënjeshtrave, secili që vjen këtu premton gjithçka. Ju qytetarë që jeni simpatizantë të AKR-së dhe PD-së, qytetarë të urtë e të ngritur, liberal, e dini se liberalizmi i takon vetëm atyre që besojnë se përmes punës arrihet suksesi, arrihet të nja jetë me e mirë. Përmes punës krijohen kushte më të mira për qytetarët. Këta janë njerëzit që i besojnë AKR-së prej fillimit deri tani. Kursi ynë asnjëherë nuk ka ndryshuar”, tha Pacolli.

Në Gjilan Pacolli tha se AKR është dëshmuar sa ishte në qeveri ku ministrat e saj nuk kanë pasur asnjë aferë korruptive.

“Kam dëgjuar shumë premtime e fjalë boshe të liderëve. Dikush e lufton korrupsionin, dikush premton shtet 100%, dikush premton kodra e livadhe dhe ne veprojmë. Jam krenar që këtë kohë sa ishim në qeveri ministrat e AKR-së kanë punuar me duar të pastërta, nuk kemi asnjë prej tyre që është akuzuar për diëka, edhe pse janë bërë lojëra konspirative, tentativa që të luhet me sinqeritetin e njerëzve të AKR-së, por ne kemi pas shembuj dhe kemi ditë si mu mbrojt prej tyre. Sot u them që nuk e kemi kryer mandatin, nuk e kemi kryer detyrën e palnin tonë deri më fund për Gjilanin, kemi pas shume çka ende, ato kanë mbetur në letër të pakryera”, tha Pacolli.

Sipas Behgjet Pacollit, kosovarët nuk e kanë ende liberalizimin e vizave si pasojë e politikanëve të korruptuar.

Pacolli u tha simpatizantëve në Gjilan që ani pse nuk e ka udhëhequr qeverinë asnjëherë, prej vitit 2007 e deri sot ka krijuar mbi 5 mijë vende të punës, andaj është e pamundur që dikush të shpreh mosbesim në atë çka ai paralajmëron.

Në tubimin në Gjilan foli edhe Ferid Agani, kryetar i Partisë së Drejtësisë, parti kjo që në zgjedhjet e 6 tetorit garon në koalicion me AKR-në dhe Nisma për Kosovën. Agani tha se kanë mbetur edhe tre ditë shpresë e mundësi për Kosovën, që qytetarët të marrin informatat e duhura për të bërë zgjedhjen e drejtë.

“Kandidatët tonë për deputetë janë më të drejtit, më të vendosurit, më të përkushtuarit e bashkuarit, që me punën e tyre të pandalshme të përfaqësojnë në mënyrën më besnike interesat tuaja. Më 6 tetor votoni kandidatët e koalicionit bashkë për shtetin, ne me numrin 122 sepse janë garanca më e sigurt për seriozitet e përgjegjësi dhe vendosmëri për të punuar ke drejtësi e vizion në Kuvendin e Kosovës”, tha ai.

E Arianit Ibrahimi, kandidat për deputet i AKR-së nga Gjilani, tha se çdo ditë e më tepër po rritet numri i njerëzve të pashpresë se do të bëhet mire. Ai tha se me të drejtë ka humbur besimi në klasën politike, që sipas tij janë fajtorët për gjendjen e rënduar në vend.

Sipas Ibrahimit, rinia është ajo që duhet të ngrisë zërin për ndryshim, meqë është ajo bartëse kryesore e të gjitha proceseve.