Gashi tha se se po u rrezikohet jeta fëmijëve të tyre që kalojnë në atë pjesë të rrugës

Gashi tha se se po u rrezikohet jeta fëmijëve të tyre që kalojnë në atë pjesë të rrugës

Pesë persona janë arrestuar nga Policia e Kosovës pasi janë përleshur gjatë protestës së sotme që është mbajtur në magjistralen Prishtinë-Gjilan nga banorët e fshatit Mramor.

Përleshja ka ndodhur në mes disa protestuesve dhe kalimtarëve të rastit, ku këta të fundit kanë tentuar ta prishnin kordonin e demonstruesve, të cilët shprehnin pakënaqësitë e tyre për shkak të vonesës së punimeve në rrugë nga Ministria e Infrastrukturës.

Të arrestuarit sipas policisë janë tre kalimtarë rasti si dhe dy persona nga grupi i protestuesve.

Organizatori i protestës, Rashit Gashi ka shpjegoi se si ka ardhur deri te përleshja fizike mes protestuesve dhe kalimtarëve të rastit. Ai tha se përkundër që protestuesit e kanë liruar rrugën që të kalojë një veturë, por personat që gjendeshin brenda saj prapë kanë dalë dhe janë kthyer për t’u përleshur me protestuesit.

Banorët e fshatit Mramor për afër 1 orë kanë bllokuar magjistralen Prishtinë-Gjilan, në shenjë pakënaqësie ndaj Ministrisë së Infrastrukturës për siç thanë banorët se kanë dëmtuar rrugën dhe urat e fshatit duke lënë gropa të mëdha të hapura.

Organizatori i protestës dhe përfaqësuesi i banorëve Rashit Gashi tha se se po u rrezikohet jeta fëmijëve të tyre që kalojnë në atë pjesë të rrugës ku gropat janë lënë të hapura.

Ai tha se i gjithë projekti do të duhej të përfundonte brenda 169 ditë pune.

Gashi bëri të ditur se përmes postës elektronike kanë njoftuar Ministrinë e Infrastrukturës dhe Komunën e Prishtinës për gjendjen e rrugës, por thotë se nuk kanë marrë përgjigje nga asnjëra palë.

Për të biseduar me protestuesit në vend të ngjarjes ka dalë Arxhend Zejnaj, shefi i kabinetit të ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj. Shefi i kabinetit të tij, u ka premtuar banorëve se qysh nesër do të marrin masa.

Ai deklaroi se do të marrin masa ndaj kompanisë në rast se ka pasur buxhet dhe nuk i ka përfunduar punët, por nëse nuk ka pasur buxhet atëherë do ta mbushin kuotën buxhetore të këtij projekti.

E në rast të mos reflektimit nga Ministria e Infrastrukturës, përfaqësuesi i banorëve Rashit Gashi tha se do të vazhdojnë të bllokojnë rrugën për kohë të pacaktuar.

Banorët thanë se i gjithë projekti do të duhej të përfundonte brenda 169 ditëve pune, ndërsa projekti ka filluar të realizohet me 20 maj të vitit 2017.