Ndeshjen e parë “Dardanët” e zhvillojnë përballë Islandës në Prishtinë më 20 shkurt

Ndeshjen e parë “Dardanët” e zhvillojnë përballë Islandës në Prishtinë më 20 shkurt

Në selinë e Federatës së Basketbollit të Kosovës, sot është prezantuar përzgjedhësi i ri i përfaqësueses së Kosovës në basketboll, Christos Marmarinos.

Ai ka qenë ndihmës trajner në shumë skuadra të njohura evropiane, duke fituar shumë trofe, madje edhe te skuadra e San Antonios në kampin veror, derisa së fundi ishte trajner në Japoni te Nishinomiya Storks.

Kryetari i Federatës së Basketbollit të Kosovës, Arben Fetahu tha se është shumë i lumtur që Federata që ai udhëheq ka arritur marrëveshje me përzgjedhësin e ri të Kosovës.

“Kam kënaqësinë se sot para jush ta prezantoj trajnerin e ri të skuadrës seniore të Kosovës. Është një trajner me përvojë të madhe evropiane, kështu që kam një kënaqësi të madhe të prezantoi para jush. Arsyeja pse e kemi zgjedhur trajnerin në fjalë është se kemi dashur të kemi dikë të re. Mungesa e përvojës kompensohet me vull netin dhe me qasjen të cilën e ka ai në basketbollin modern” tha ai.

Ndërsa përzgjedhësi i ri i Kosovës, Christos Marmarinos falënderoi FBK-në për mundësinë e dhënë për të udhëhequr një skuadër si Kosova.

Ai për shumë vite (2004-2018) ishte ndihmës trajner në skuadrën e njohur evropiane, Olympiacos ku fitoi shumë trofe, derisa ishte përgjegjës për zhvillimin e lojtarëve të rinj, përgatitjen e stërvitjeve dhe ndeshjeve.

Fitoi dy herë Euroligën, 2012 dhe 2013, tri herë finalist në Euroligë 2010, 2015, 2017, gjashtë herë në “Final 4” të Euroligës (2009, 2010, 2012, 2013, 2015, 2017). Tri herë fitoi titullin në Greqi (2012, 2015, 2016), 12 herë finalist në Greqi (2006-2018), finalist i Kupës së Greqisë (2008-2013), fitues i Kupës së Greqisë (2010, 2011). Më 2015 ishte zgje dhur nga Euroliga si ndihmës trajneri më i mirë i vitit.

Në këtë konferencë u prezantua edhe lista e gjerë të trajnerëve si dhe të lojtarëve të ftuar nga Marmarinos për dy ndeshjet e para të Kosovës për 2020. Kosova në parakualifikimet për botërorin 2023 ndodhet në një grup me Islandën, Luksemburgun dhe Sllovakinë.

Ndeshjen e parë “Dardanët” e zhvillojnë përballë Islandës në Prishtinë më 20 shkurt, derisa më tri ditë më vonë udhëtojnë në Luksemburg.