"Studentët tanë, çdo ditë e më shumë po dalin si liderë të përgatitur"

“Studentët tanë, çdo ditë e më shumë po dalin si liderë të përgatitur”

Sot ka filluar Simpoziumi i 9-të Ndërkombëtar i Shkencave Shëndetësore, me temën “Rehabilitimi Shëndetësor dhe Social: Qasja Multidusiplinare”, organizuar nga Instituti i Evropës Juglindore për Politika Shëndetësore dhe Sociale dhe Kolegji “Heimerer”.

Petrit Beqiri, udhëheqës i këtij institucioni dhe njëherësh President i simpoziumit, në fjalën e hapjes falënderoi të gjithë ata që kontribuan në avancimin e shkencave shëndetësore. Ai tha se e filluan punën para 13 vitesh, dhe për këtë falënderoi themeluesin e kolegjit “Heimerer”.

“Në këtë rrugëtim ne kishim qëllimin e ndikimit në shoqëri në dy shtylla, dhe këtë e realizuam përmes një formule relativisht të thjeshtë. E para, të themelojmë instiucione të qëndrueshme të cilat do të mund të merreshin edhe si shembull për institucionet tjera, dhe këtë ta bënim përmes përkrahjes së një shoqërie, gjegjësisht këtij vendi, i cili në të njëjtën kohën është vend mik i shoqërisë sonë, dhe e dyta, është shumëfish më i avancuar në arsim dhe shëndetësi”, ka thënë Beqiri.

Ndërkaq, Naime Brajshori, profesoreshë në kolegjin Heimerer, bëri një dedikim për profesorin Habil Johann Behrens, për të cilin tha se ka mbi 300 punime shkencore, 20 libra të botuara, citime të shumta dhe mbi 1000 mentorime për studentë të ndryshëm.

“Profesori Behrens gjatë 13 viteve ka ndihmuar kryesisht në tri fusha kryesore që do të doja t’i përmendja. E para është në gjenerimin e inciativave dhe projekteve shkencore, duke filluar nga viti 2005 në Kosovë, dhe si arritje kryesore profesori Behrens e sheh edhe vetë rindërtimin akademik në Evropën Juglindore, e posaçërisht avancimin e infiermerisë sekondar në atë terciar”, ka thënë Brajshori.

Në hapjen e simpoziumit ishte edhe rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, i cili i ndau mirënjohje dhe dhurata profesorit Johann Behrens.

“Pikërisht Universiteti i Prishtinës, duke iu falënderuar profesorit dhe shumë partnerëve ndërkombëtarë, disa të cilët janë këtu, partnerëve lokal, përditë jeni duke bërë ngritje në ranglista të ndryshme ndërkombëtare, pikërisht studentët tanë, çdo ditë e më shumë po dalin si liderë të përgatitur”, ka thënë Dema.

Mirënjohje dhe dhurata për Dr. Behrens ndau edhe rektorja e Kolegjit “Heimerer”, Natyra Karahoda Gjurgjeala, në shenjë falënderimi.

Dr. Johann Behrens falënderoi  për mirënjohjet dhe tha se duhet punë e madhe për t’u bërë doktor shkence. Ai u bëri thirrje të rinjve kosovarë që të shkojnë në Gjermani dhe të profesionalizohen dhe të kthehen e të kontribuojnë në Kosovë.

E pranishme ishte edhe Patricia Almedia, kryetare e Rrjetit Evropian të Fizioterapisë në Arsimin e Lartë, e cila tha se për të, si përfaqësuese e këtij rrjeti është kënaqësi të punojë me njerëz nga Kosova dhe të shohin se si Kosova po zhvillohet. Ajo tha se njerëzit në Kosovë kërkojnë cilësi.

Simpoziumi Ndërkombëtar i Shkencave Shëndetësore përfundon nesër, më datë 15 shtator