Medaljet dhe trofetë nga arena ndërkombëtare edhe në vitin që shkoi erdhën nga sportet luftarake

Medaljet dhe trofetë nga arena ndërkombëtare edhe në vitin që shkoi erdhën nga sportet luftarake

Janë xhudistët, boksierët, kick-boksierët e karateistët, shkëlqyen në tapetet ndërkombëtare, pa harruar edhe sukseset në garat kombëtare.

Xhudistet e Kosovës  që tashmë i njeh bota, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi, e Nora Gjakova edhe në vitin 2017, jorrallë herë e bën krenar popullin shqiptar.

Krahas sukseseve të xhudistëve janë edhe boksierët që rrëmbyen medalje nga garat evropiane.

E padyshim se suksesi më i madh nga ky sport vjen nga një femër. Është fjala për Donjeta Sadiku, i cili rrëmbeu medaljen e argjendtë nga Kampionatin Evropian, i mbajtur në  korrik. Sukseset nuk munguan as në konkurrencën e meshkujve, ku disa nga boksierët tonë shkëlqen në sfidat e mëdha evropiane.

Nga trajnerët e boksit, viti 2017 konsiderohet më i miri.

Agim Tahiraj, trajner i njohur i boksit tonë,  ka thënë për  KosovaPress se viti që po shkon është më i miri për boksin e Kosovës.

Sipas tij, suksesi i Donjeta Sadikut në evropian është dëshmi se boksi po ecën hapave të sigurt.

“Mund të them se ka qenë vit i suksesshëm për boksin e Kosovës, ku kuptohet medalja e Donjetës. Ka filluar në muajin shkurt me turneun e Pavarësisë, dhe së fundmi ka përfunduar me turneun ‘Adem Jashari’ që me të vërtetë ka qenë një turne i suksesshëm dhe mund të them se boksi po ecë  hapave të sigurt. Ndoshta kemi pritur, mirëpo, prapë mund të them se jemi të kënaqur me rezultatet që kemi pasur”, tha Tahiraj.

Edhe Federata e Boksit të Kosovës (FBoxK), e vlerëson të kënaqshëm vitin 2017. Zëdhënësi i kësaj Federate, Latif Demolli ndan mendimin e njëjtë me Agim Tahirajn.

Sipas Demollit, viti 2017 ishte më i mirë për boksin e Kosovës. Ai thotë se boksierët kanë arritur shumë medalje brenda vitit, por sipas tij, kulmi i suksesit është suksesi i Donjeta Sadikut në Kampionatin Evropian.

“Duhet them lirisht se ky vit ishte ndër vitet më të suksesshme të Federatës së Boksit për arsye se kemi zhvilluar 17 gara kalendarike, 12 kombëtar dhe dy kampionate evropiane. Jemi të kënaqur për arsye se kemi një medalje të argjendtë nga Kampionati Evropian të Donjeta Sadikut dhe në Kampionatin e Juniorëve në Bullgari, ku ishim dy boksierët tonë u zunë vendet e pesta, edhe pse njëri prej tyre në luftë për medalje pësoi humbje, edhe pse Maliqi ishte fitues, por kështu e ka sporti dikush fiton e dikush humb, por e rëndësishme ishte që treguan boks të mirë. Në garat tjerë ndërkombëtare kemi një sukses në Gongu i Artë, ku një boksier ynë u shpall tekniku më i mirë, Violant Sylejmani, që ishte gara e 46-të më radhë. Po ashtu edhe në Shkodër ishim ndër boksierët më të mirë, dhe në përgjithësi jemi të kënaqur me cilësinë që kanë treguar boksierët tonë si te meshkujt dhe femrat. Siç dihet ne kemi qenë në Kampionatin Evropian me dy femra, ku Donjeta arriti suksesin, por kemi edhe boksiere tjera që po shkojnë hapave të saj. Sa i përket garave kombëtare kishim rivalitet mes boksierëve tonë, ku kjo u pa më së miri në tetor në Kampionatin e Kosovës, ku fituan më të mirët dhe u shpallen kampion të Kosovës. Dhe besoj se është viti më i suksesshëm jo vetëm për Federatën, por edhe për Kosovën”, ka theksuar Demolli.

Derisa boksi vlerësohet pozitivisht nga trajnerët e këtij sporti, pak më ndryshe qëndron puna tek karateja.

Ish-kampionia e botës, Shqipe Zogiani, aktualisht trajnere e klubit të karatesë Ippon, thotë se pjesërisht është e kënaqur me zhvillimin e karatesë  brenda këtij viti. Ajo thotë se ka pritur më shumë nga karateja, edhe pse ajo është e kënaqur me punën që bëhet në klubin e saj. Sipas saj, gara më e madhe e këtij viti ka qenë Evropiani, ku garuesi i saj Herolind Nishevci ishte pranë medaljes, por sipas saj, një gabim  i vogël e la atë pa medalje.

“Me përgjegjësi të plotë kisha fol vetëm për garuesit mi të cilët janë edhe më përgjegjësi më të madhe sa i përket sportit të karatesë duke pasur parasysh së tre janë bursista po e fus edhe Fortesën që është një garuese dhe që edhe ushtrimet i zhvillon tek ne. Janë katër garues që kanë bursa nga Komiteti Olimpik i Kosovës në bashkëpunim më solidaritetin olimpik ndërkombëtar për përgatitjet ‘Tokio 2020’. Garuesit po e përfundojnë vitin më përgatitje intensive, do të thotë në mënyrën më të mirë të mundshme, mirëpo, nuk e kemi përmbyllur ashtu siç e kam dëshiruar unë. Gare më nivel më të lartë këtë vit e kemi pasur vetëm Evropianin, duke pasur parasysh se tek ne Botërori mbahet çdo dy vjet. Herolindi ka qenë në prag të medaljes, do të thotë për një gabim elementar i ka ikur medalja dhe ka mbetur në vendin e pestë, sepse ka pasur luftën për medalje të vendit të tretë, por siç e ceka ka mbetur për një gabim shumë të vogël. Natyrisht se aty mangësi e madhe është edhe mospjesëmarrja edhe e trajnerit për t’i qëndruar mbrapa tij duke pasur parasysh se sportet individuale e në veçanti për sportistët elitar ka rëndësi shumë të madhe dhe ajo është njëra ndër penalizimet”, tha Zogiani.

Ajo ka akuzuar Federatën e Karatesë së Kosovës për mos pjesëmarrjen e garueseve tona në disa ngjarje tejet të rëndësishme. Zogiani shpreson se në vitin që po hyjmë dështimet e vitit 2017 të mos përsëriten në vitin që po vjen, në mënyrë që karateistët tonë të mbledhin sa më shumë pikë olimpike.

“Janë përcjell edhe Premier Ligat, ku tani janë garat më të rëndësishme për mbledhjen e pikëve ku jemi në prag të vitit 2018, e ku për ne ka rëndësi shumë të madhe pasi fillojmë për mbledhjen e pikëve olimpike, ku ka pasur dështimet në pjesëmarrjen në këto gara, ku mund të ceki dy më të rëndësishme, si në fillim të vitit në Dubai Open, ku aty kanë qenë një ndër garat më pikë më të mëdha dhe se federata nuk i ka pa të arsyeshme t’i dërgojnë garuesit. Gjithashtu na ka dështuar edhe gara, ku garuesit tonë janë penalizuar në rangliste, do të thotë janë ngritur në numër, ndërsa luftimet tona kanë qenë që të jemi sa më ulët në ranglistë e përgjithshme, do të thotë iu ka dështuar edhe okej nova, e cila është mbajtur para dhjetëditësh. Shpresoj që këto gabime të mos përsëriten në vitin 2018 dhe të jemi në të gjitha garat, ku ne mund të mbledhim pikë dhe të kualifikohemi për ‘Tokio 2018’”, ka përfunduar Zogiani.

Ajo kërkon nga të gjithë njerëzit e karatesë që në vitin që po hyjmë të punojnë më shumë në të gjitha aspektet, të krijohen kushte më të mira, në mënyrë që garuesit tonë të arrijnë suksese më të mëdha, sidomos në grumbullimin e pikëve olimpike për Olimpiadën e ardhshme ‘Tokio 2020’.