Janë zhvilluar ndeshjet e së mërkurës në NBA

Janë zhvilluar ndeshjet e së mërkurës në NBA

San Antonio Spurs e pati të lehtë ndaj Brooklyn Nets,  pasi në AT&T Center mposhti pa vështirësi 109:97 skuadrën nga Nju Jorku, duke koleksionuar fitoren e 24-të sezonale.

Kawhi Leonard me 21 pikë ishte basketbollisti më efikas te ekipi nga Teksas ndërkohë kontribut të madh dha edhe LaMarcus Aldridge, që shtoi 20 pikë, transmeton KosovaPress.

Ndalet seria prej gjashtë fitoreve e Toronto Raptors, që sërish mposhten nga Dallas Mavericks, këtë herë me rezultat 93:98.

J.J. Barea që erdhi nga banka rezervë ishte koshashënuesi më i mirë te Mavs, me 20 pikë të realizuara, kurse gjermani Dirk Nowitzki shtoi 18 pikë dhe 7 kërcime. Në anën tjetër te Raptors zhgënjeu DeMar DeRozan që u ndal në vetëm 8 pikë të realizuara, kurse më i miri ishte Kyle Lowry me 23 pikë.

Vazhdon ecuria pozitive e Chicago Bulls. Skuadra nga Ilinois regjistroi fitoren e tetë në dhjetë ndeshjet e fundit teksa u rikthye te fitorja pasi mposhti në udhëtim Milwaukee Bucks me shifrat 115:106.

Nicola Mirotic me 24 pikë e 8 kërcime udhëhoqi, Bulls drejt fitores numër 11 këtë stinor.