Vendimin për shkarkimin e Hotit, Tahiri  e quajti idhnak

Vendimin për shkarkimin e Hotit, Tahiri  e quajti idhnak

Qeveria e udhëhequr nga Albin Kurtin mbrëmë u rrëzua përmes një mocioni të mosbesimit, të iniciuar nga partneri i saj qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Pas rrëzimit të qeverisë, kryeministri në detyrë, Albin Kurti në orët e vona shkarkoi zëvendëskryeministrin e parë në detyrë, Avdullah Hotin.

Sipas njohësve, në këtë situatë politike në vend LDK si partner i koalicionit qeverisës me Lëvizjes Vetëvendosje ose duhet të dalë krejtësisht nga qeveria ose të propozojë emrat e ministrit të Punëve të Brendshme dhe zëvendëskryeministrit të shkarkuar me qëllim që ta ketë votën e saj në qeverinë në detyrë.

Analisti politik, Ramush Tahiri vendimin për shkarkimin e zëvendëskryeministrit Hoti, i cili vjen nga radhët e LDK-ja e quajti idhnak. Ai tha që në mënyrë që të përfundojë loja e Kurtit për heqjen e ministrave të LDK-së, kjo parti duhet të propozojë emra të ri për postet e shkarkuara nga kryeministri tashmë në detyrë.

Sipas tij, Qeveria tashmë në detyrë duhet të marrë vetëm vendime urgjente dhe të nevojshme dhe jo të merret me shkarkimin e ministrave të LDK-së.

“Parlamenti ia ka marrë votëbesimin Qeverisë Kurti dhe Qeveria Kurti duhet t’i kryejë vetëm punët urgjente dhe të nevojshme, por jo punë të tjera të mëdha dhe nuk duhet të merret me shkarkime të ministrave, sepse ky është autoritarizëm i Albin Kurtit i cili nuk ka legjitimitet dhe i cili nuk është i drejtë. LDK i ka dy rrugë: ose të dalë krejtësisht prej qeverisë dhe ta lë vetëm VV në qeveri dhe pakicat, ose sa herë që Albin Kurti shkarkon dikë këta ta propozojnë një emër të ri dhe në mënyrë që LDK t’i ketë votat e veta në Qeverinë Kurti. Qeveria e koalicionit Vetëvendosje-LDK mund të jetë vetëm qeveri e Vetëvendosjes nëse LDK del, por nuk bën të jetë Qeveri e Vetëvendosjes dhe e LDK-së dhe të shkarkohen ministrat e LDK-së duke punuar zëvendësministrat e Vetëvendosjes. Kjo është e padrejtë dhe nuk është vullneti i qytetarëve ”, tha Tahiri.

Njohësi i çështjeve politike, në vend Ramush Tahiri pret nga Kurti që të shkarkojë nga pozita e ministrit të Mbrojtjes edhe Anton Qunin, me qëllim që ta menaxhojë ndryshe Forcën e Sigurisë së Kosovës, në rast të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

Lidhur me shkarkimin e Hotit, sot përmes një postimi në Facebook, kreu i LDK-së, Isa Mustafa deklaroi se ministrat e partisë së tij nuk do t’i tërheqë njëanshëm dhe se ata do jenë në krye të detyrës deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Megjithatë, ai theksoi se mbetet në vullnetit e Kurtit nëse dëshiron t’i mbajë apo t’i lirojë nga detyra.

Mbrëmë me 82 vota pro, 32 kundër dhe 1 abstenim, Kuvendit i Kosovës rrëzoi qeverinë e Kurtit.

Deri te kjo erdhi pas inicimit të mocionit të mosbesimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, të cilët e morën këtë nismë pas shkarkimit që Kurti i bëri ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliut.

Veliu u shkarkua nga posti i ministrit pas deklaratës së tij pro shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme si masë parandaluese kundër koronavirusit, masë të cilën e kundërshtoi kryeministri tashmë në detyrë, Albin Kurti. E këtë masë e kishte propozuar presidenti i vendit, Hashim Thaçi.