Thaçi takon përfaqësuesit e Luginës së Preshevës

Thaçi takon përfaqësuesit e Luginës së Preshevës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një postim në Facebook, ka thënë se dje dhe sot ka takuar me “njerëz të botës akademike, të biznesit, të rinj, studentë, ish-përfaqësues të UÇPMB-së, të diasporës shqiptare, përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë, kryesisht nga Lugina e Preshevës”.

Thaçi ka thënë se bashkëngjitja e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit ishte kryetema e bisedave.

“Ishte konkludim i përbashkët se është momenti historik që të jetësohet e drejta legjitime e qytetarëve të kësaj treve, e deklaruar më 1 dhe 2 mars 1992, në kuadër të dialogut ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë. 

Me arritjen e marrëveshjes Kosovë–Serbi, përparësitë e Kosovës do të jenë: njohja reciproke, njohja e Kosovës edhe nga pesë shtetet anëtare të BE-së, rrugëtimi i sigurt për në NATO dhe BE, si dhe anëtarësimi në OKB.

Të gjithë bashkëbiseduesve u premtova, gjë e cila do të konfirmohet, se në të gjitha takimet e mia në Konferencën e Frankofonisë në Jerevan të Armenisë, do ta diskutoj mundësinë e korrigjimit të kufijve, me mundësi reale për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën”, ka shkruar Thaçi në Facebook./21Media