“Isa Mustafa më ka akuzuar se unë po abuzoj me proamerikanizmin"

“Isa Mustafa më ka akuzuar se unë po abuzoj me proamerikanizmin”

Partia Demokratike e Kosovës tubimin e radhës zgjedhor e ka mbajtur në qytetin e Malishevës, ku para simpatizantëve, kandidati për kryeministër, Kadri Veseli u shpreh se ai asnjëherë nuk do të abuzojë me proamerikanizmin.

I pari i PDK-së, iu bëri thirrje omponentëve politik që të bashkohen me partinë e tij në luftën kundër korrupsionit, e mos të bëjnë akuza.

“Isa Mustafa më ka akuzuar se unë po abuzoj me proamerikanizmin. Unë nuk abuzoj asnjëherë në jetën time. Ju e keni parë me sy të juaj çfarë dmth ka SHBA-të për kombin tonë. Unë nuk e mati fatin tim jetësor as të arritjes sime në raportin me ShBA-të”, tha Veseli.

Veseli duke e kërkuar votën në Malishevë, tha se ata janë zgjidhja më e mirë për shtetin. Sipas kandidatit për kryeministër, tek të gjitha partitë politike ka filluar një lloj dëshpërimi, sepse siç tha ai po e dinë që PDK-ja do dalë fituese.

“Ka filluar një lloj dëshpërimi nga omponetët tanë, që po e bartin me akuza ndaj nesh. Nuk duhet të na sulmojnë neve, por duhet bashkuar me neve në luftën e pakompromis kundër korrupsionit. Duhet të bashkohen me ne në projektin tonë për një Kosovë me raporte shumë të mira me ShBA-të”, tha Veseli.

Ndërsa, kryetari i degës së PDK-së në Malishevë, njëherësh kandidat për deputet, Isni Kilaj tha se qyteti i tij do ta mbështetë Kadri Veselin për kryeministër, teksa shtoi se luftës se Veselit për të parandaluar korrupsionin do t’i bashkëngjiten edhe qytetarët malishevas.

“Kësaj lufte që do t’i prijë kryeministri Kadri Veseli, do t’i bashkëngjiten qytetarët e Malishevës dhe gjithë Kosovës. Padyshim se nuk do të mungojë përkrahja e aleatëve tanë. Kjo luftë nuk ka nevojë që të përdorë armët, por vota juaj”, tha ai.