“Njerëzit e dalluar të Kosovës kanë një fuqi të dyfishtë"

“Njerëzit e dalluar të Kosovës kanë një fuqi të dyfishtë”

Në tre vjetorin e ndarjes nga jeta të veprimtarit të çështjes kombëtare, Shasivar Makolli – Qali, është mbajtur akademi përkujtimore. Nga aty, Makolli u kujtua si person që nuk rreshti asnjëherë së punuari, për të mbrojtur lirinë dhe kombin e tij, gjithmonë duke punuar pa kushte, e pa kursyer edhe jetën.

E bija e tij, Medina Makolli, në tre vjetorin e ndarjes nga jeta të Shasivar Makollit, e ka kujtuar me mall, të atin.

“Është kënaqësi me pa burra kaq të mëdhenj të kombit, në një hapësirë kaq të vogël. Por sot normalisht është emocion i veçantë, se jeni mbledhur këtu ta kujtoni babën tonë, e njeriun që ju ka dashur shumë”, tha Makolli.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli tha se Shasivar Makolli hyn në  kategorinë e atyre që e duan atdheun pa kushte.

“Njerëzit e dalluar të Kosovës kanë një fuqi të dyfishtë, ata na bëjnë bashkë edhe kur janë në mesin tonë, por edhe kur ndahen prej nesh, saktë Shasivar Makolli ishte njeri i tillë. Sot bëhen tri vite që kur u nda prej nesh, por kujtimi i tij sërish na ka bashkuar sot në këtë sallë. Ishte gjithmonë aty ku kërkohej angazhim, në demonstratat e pranverës 1981 ai u plagos, duke qenë në ballë të tyre, por kjo nuk e ndaloi. Plagët e tij ia shtuan motivin për të bërë edhe më shumë për kombin e vet”, tha Veseli.

Ndërkaq, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka përgëzuar të gjithë që angazhohen për përkujtimet e veteranëve. Sipas tij, Makolli nuk ka hise vetëm në hapësirat e Kosovës.

Ahmeti: Ai nuk ka hise vetëm në hapësirën e Kosovës

Video “Adem Demaqi kishte pikë të dobët e çdo luftëtari, prandaj njëherit e kujtojmë edhe atë, sepse Shasivari e ka pasur pikën më të dobët, më të ndjeshme dhe më të dhimbshme bacën Adem, që është përkujdesur në çdo lëvizje të tij. Shasivar Makolli nuk ka hise vetëm në hapësirën e Kosovës, të Gollakut, por në të gjitha hapësirat shqiptare, ashtu siç e thanë edhe parafolësit e mi”, tha Ahmeti.

Gjenerali i ushtrive shqiptare, Kudusi Lame tha se Shasivar Makolli bënte punë të mëdha, pa përmendur veprimtarinë  e tij.

“Shasivar Makolli në këtë skenë ka hyrë që në moshën e rinisë, duke u angazhuar për të bërë kombin e tij, duke u angazhuar për të dhënë gjithçka nga vetja për ta bërë Shqipërinë. Për të arritur të jetësojë synimet e mëdha kombëtar, Shasivari ishte gjithnjë në rrjedhën e vrullshme të veprimtarive madhore, duke ecur nëpër rrezik, ashtu i qetë, ashtu i vendosur, pa bërë deklarata se unë e organizova, pa bërë deklarata se unë isha në ballë, pa bërë deklarata se unë isha flamurtar, por gjithnjë duke qenë aty ku bëhej organizimi, aty ku ishte balli, aty ku ishte flamuri”, tha Lame.

Sipas Lames, Makolli ishte shembulli i një atdhetari, që lufton për atë pa u kursyer.

Migjen Shala, nënkryetar i OVL-së së UÇK-së, Shasivar Makollin e kujtoi si një njeri që gjithmonë i është kushtuar Kosovës, ku pohoi se Makolli ishte gjithmonë i qeshur, pavarësisht situatave në të cilat gjendej ai.

“Shasivar Makolli që nga viti ’81, deri në çlirimin e Kosovës, ka punuar pa reshtur për organizimin dhe fuqizimin e rezistencës kundër pushtuesve serbë. Ne sot e kujtojmë si një njeri që tërë jetën ia ka kushtuar çështjes kombëtare. Ai ishte një njeri që kishte një vullnet të madh për të punuar për Kosovën, humbja e tij na la një boshllëk në shoqërinë tonë”, tha ai.

Në emër të ish Unionit të Studentëve të viteve të 90-ta, Driton Lajçi ka kujtuar Shasivarin, duke thënë se atdheu ka pasur gjithmonë heronj të heshtur.

“Ne Qalin e kemi pasur krahë të djathtë tonin, gjatë aktiviteteve të lëvizjes studentore. Ai e udhëhiqi punën dhe trimërinë e tij, fisnikëri dhe humanizëm, kështu kishin  bërë edhe të parët e tij. Ai dhe shtëpia e tij ka qenë nder i Lëvizjes Kombëtare, brez pas brezi. Strehues, mbrojtës she shoqërues i plotë figurave dhe drejtuesve të kombit. Në ditë të zeza dhe të zorshme dhe krenarie, Shasivari ishte gjatë tërë kohës me shoqërim të Adem Demaqit, emblemës së lëvizjes kombëtare dhe laureatit të Çmimit Sakharov”, tha ai.

Ndryshe, Shasivar Makolli gjatë vitit 1999 ka punuar në zyrën e përfaqësuesit politik të UÇK-së në Prishtinë Adem Demaçit.