Kampionët në fuqi të NBA, vazhdojnë me formë të mirë

Kampionët në fuqi të NBA, vazhdojnë me formë të mirë

Fitorja e nëntë në dhjetë ndeshjet e fundit për Golden State Warriors.

Në Oracle Arena, skuadra e Steve Kerr mposhti me rezultatin e thellë 126:101 Utah Jazz, në një ndeshje ku Warriors u treguan edhe njëherë tjetër të gjithëve se edhe pa Stephen Curryn e lënduar, ka një skuadër të denjë për t’i bërë ballë çdo kundërshtari.

Kevin Durant me 21 pikë dhe rezervisti Patrick McCaw me 18 ishin basketbollistët më efikas te skuadra vendase e cila ka marrë kryesimin e Konferencës së Perëndimit, me 28 fitore e shtatë humbje.

Oklahoma City Thunder është duke shkëlqyer në ndeshjet e fundit.

Thunder koleksionuan fitoren gjashtë radhazi falë tre yjeve të skuadrës. 81 pikë realizoi në total treshja Westbrook-George-Anthony, duke bërë që Oklahoma në Chesapeake Energy Arena të mposhtë më lehtë sesa që pritej Toronto Raptors 124:107.

Paul George  me 33 ishte koshashënuesi më i mirë te vendasit ndërsa, Rusell Westbrook pati po ashtu një paraqitje fantastike, pasi koleksionoi në total 30 pikë ndërsa i ndihmoi edhe me 13 kërcime e 8 asistime.

Zhgënjen për të dytën ndeshje radhazi, Cleveland Cavaliers që u mposht në Kaliforni nga Sacramento Kings me rezultatin 95:109.

Për Cavs kjo ishte humbja e 11-të sezonale. Ndonëse LeBron James regjistroi triple-double në këtë takim me 16 pikë, 10 asistime dhe 14 kërcime nuk ishin të mjaftueshme për skuadrën nga Ohio të shmang humbjen. Në anën tjetër te Kings shkëlqeu veterani Vince Carter me 24 pikë.