​Apostolova: Nga viti 2010, BE-ja ka dhënë mbi 30 milionë euro për Kosovën

Haxhiu tha se prioritet i qeverisë së re do të jetë fuqizimi i Shërbimit Korrektues të Kosovës

Shërbimi Korrektues i Kosovës nuk ka pasur deri më tani mbështetje nga niveli politik. Për këtë po premtohet se do të ketë fuqizim dhe mbështetje nga qeveria e re. Edhe pas heqjes së pakove ushqimore që vinin nga familjarët për të burgosurit në Qendrat Korrektuese në Kosovë, në këto të fundit ka pasur kontrabandë.

Kështu u tha sot në pjesën përmbyllëse të projektit për “Fuqizimin e Mëtutjeshëm të Shërbimit Korrektues dhe Shërbimit Sprovues në Kosovë”. Ky projekt me vlerë dy milionë euro është financuar nga Bashkimi Evropian në Kosovë dhe është zbatuar nga Agjencia e Sanksioneve Penale të Finlandës nga shtatori i vitit 2017.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se prioritet i qeverisë së re do të jetë fuqizimi i Shërbimit Korrektues të Kosovës, e cila njëherësh sipas saj do të jetë edhe sfida më e madhe për sektorin e drejtësisë.

Haxhiu u zotua se do të punojnë në avancimin e kushteve për stafin e Shërbimit Korrektues të Kosovës. Ndër të tjera, ajo theksoi se shqetësim mbetet edhe mos zbatimi i nenit 224, ku parashihen kontrollet mjekësore për zyrtarët korrektues e që sipas saj një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Ajo përmendi edhe kontrabandën në burgjet e Kosovës për çka tha se edhe pas heqjes së pakove ushqimore, ku familjarët dikur kishin mundësi t’ua dërgonin të burgosurve, në Qendrat Korrektuese ka vazhduar kjo dukuri.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Natylia Apostolova tha se qëllimi i Projektit të Binjakëzimit ka për qëllim mbështetjen e shërbimeve korrektuese dhe sprovuese të Kosovës si dhe mbështetjen e Kosovës në përmirësimin e standardeve të sektorit gjyqësor, duke e fuqizuar më tej kornizën institucionale.

Ajo tha se duhet të merren masa esenciale për të burgosurit në integrimin e tyre në shoqëri.

Ndërsa, zëvendës-udhëheqësja e misionit nga Ambasada e Finlandës Sargit Salakari tha se Finlanda ka numrin më të vogël të burgosurve në Evropë. Ndër të tjera, sipas saj, ky vend skandinav ka dhënë për Kosovën 50 milionë euro nga viti 1999.

Ndërkaq, udhëheqësi vendor i “Projektit të Binjakëzimit” Rasim Selmani ka bëri të ditur se ky projekt ka filluar 30 muaj më parë, ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Finlandeze për Sankdionr Penale, Arto Kujala, nuk ka mundur të jetë i pranishëm në këtë projekt përmbyllës pas përhapjes se koronavirusit.

Back to top button