​Bulliqi: Qeverisja aktuale në Podujevë është e paaftë për të menaxhuar

 

Lëvizja Vetëvendosje në Podujevë ka akuzuar Lidhjen Demokratike të Kosovës për keqqeverisje në këtë komunë dhe ka kërkuar mbajtjen sa më të shpejtë të zgjedhjeve komunale, të cilat janë shtyrë për shkak të pandemisë me COVID-19.

Kryetari i Degës së Vetëvendosjes, njëherësh kandidat për kryetar të Podujevës nga radhët e kësaj partie, Shpejtim Bulliqi në një konferencë për medie ka prezantuar raportin e auditorit të jashtëm për komunën e Podujevës, ku sipas tij dëshmohet për një performancë të dobët të qeverisjes lokale të drejtuar nga LDK.

Bulliqi ka thënë se në bazë të këtij raporti, komuna e Podujevës del të jetë komuna me performancën më të dobët në nivel vendi. Pjesa më problematike e këtij raporti, ka shtuar ai, është prokurimi, duke theksuar problemet kryesore në prokurimin e komunës së Podujevës.

“E para është paaftësia e menaxhmentit dhe stafit të kësaj zyre, e cila karakterizohet me planifikime te gabuara dhe jo profesionale, ku per pasoje vonohen punët dhe rritet kostoja financiare e projekteve. E dyta, tendencat për t’ia përshtatur tenderët kompanive të afërta me partinë në pushtet, pastaj tejkalimi i kontratës kornize në shumë raste, në kundërshtim me ligjin, në dëm të parimit të konkurrencës së lirë në mes të operatorëve ekonomik dhe në dëm të buxhetit publik, ndryshimi i projekteve në kundërshtim me kontratën dhe planifikimin, si dhe pa aprovim të ZKA”, ka thënë Bulliqi.

Për më tepër, ai ka bërë të ditur se në raportin e auditorit janë gjetur planifikime të gabuara të shpenzimeve të cilat paraqiten çdo vit, si dhe ka ndikuar që mjetet të mos shpenzohen sipas planit buxhetor, dhe përgjegjësit kryesorë janë ish-kryetari dhe nënkryetari i kësaj komune.

“Për të gjitha këto lëshime personat përgjegjës duke filluar nga ish- kryetari e tani, nënkryetari, të cilët asnjëherë nuk i kanë adresuar këto probleme dhe nuk janë ndërmarrë hapat e nevojshëm për përmirësimin e situatës”, tha ai.

Bulliqi ka thënë se mangësia e kontratave për shërbime të veçanta, mungesa e planit për subvencionimin e OJQ-ve, mungesa e projekteve ekzekutive të ndërtimit janë vetëm disa prej të dhënave që tregon raporti i auditorit për keq-menaxhimin e komunës nga ana e ish-kryetarit Agim Veliu dhe nënkryetari Nexhmi Rudari, dhe ka bërë thirrje prokurorisë që të merret me këto raste. Ai ka thënë se mbajtja e zgjedhjeve komunale në Podujevë po pengohet për interesat e ngushta politike, me justifikimin se organizimi i tyre rrezikon shëndetin publik.

Bulliqi ka bërë thirrje që zgjedhjet në këtë komunë të mbahen sa më parë, pasi sipas tij, komuna e Podujevës ka nevojë për një qeverisje transparente dhe të përgjegjshme para qytetarëve.

Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme për kryetar të Podujevës ishin paraparë për 15 mars, pasi Agim Veliu mori postin e ministrit të Brendshëm në Qeverinë e atëhershme Kurti. Shtyrja e zgjedhjeve është bërë për shkak të shpërthimit të pandemisë me koronavirus, e cila ka prekur tashmë pothuajse të gjithë botën./kp

Back to top button