​Drenasi shënon 12-vjetorin e pavarësisë me shumë aktivitete

12-vjetori i pavarësisë

Në përkujtimin e 12-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, me kabinetin e tij, drejtorë të drejtorive komunale, asamblesitë të Kuvendit Komunal, shoqata të dala nga lufta e UÇK-së, kanë bërë homazhe në varrezat e dëshmorëve.

Fillimisht, janë bërë homazhe në sheshin “Fehmi Lladrovci”, pranë shtatores së Fehmi e Xhevë Lladrovcit, Shaban, Hamëz e Adem Jashari, Bedri Shala, Rasim Kiçina e Ilaz Kodra, dhe homazhet kanë vazhduar për nderim në Kompleksin e Jasharajve në Prekaz, në kompleksin e Varrezave të Dëshmorëve në Marinë, në varrezat e dëshmorëve në Gllanasellë, Likoshan, Çikatovë e Vjetër, Baicë, Abri, Tërdec, Gllobar, Tërstenik, Vërboc, Shtuticë, Negroc, Krajkovë, Damanek, Shtrubullovë, Poklek i Ri dhe i Vjetër dhe në Nekoc.

Pas homazheve, është mbajtur edhe Seanca Solemne e Kuvendit të Komunës.

Kryetari Lladrovci me këtë rast shprehu respekt e nderim për dëshmorët e kombit, duke thënë se ata janë të pavdekshëm.

“Mesazhi ishte dhe mbetet, ne përjetësisht do t’i nderojmë heronjtë tanë, dëshmorët dhe martirët e lirisë, ata të cilët i dhanë zjarr lirisë tonë. Ne çdo ditë angazhohemi për mirëqenien e qytetarëve tanë, por nuk do të lavdërohemi, pasi të gjithë mund të bëjmë më shumë”, tha Lladrovci.

Për të përmbyllur aktivitetet e 12-vjetorit të pavarësisë, në Sallën e Kulturës është mbajtur një program kulturor e artistik me shoqëritë kulturore e artistike të Komunës së Drenasit.

Back to top button