​Haradinaj: Është gabim Kosova me largu taksën pa njohje

“Shumë drejt, shumë hapur, shumë saktë nuk ikim nga e drejta jonë”

Përkundër deklarimit në mëngjes rreth “borës së shkrirë”, duke ju referuar largimit të taksës ndaj Serbisë, kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka ritheksuar se është gabim Kosova ta largojë taksën ndaj Serbisë, pa e njohur kjo e fundit shtetin tonë.

Në akademinë përkujtimore kushtuar dy heronjve, Skender Rexhepit dhe Fitim Durakut,  i pari i qeverisë ka pasur akuza të rënda ndaj elitës politike që ka udhëhequr Kosovën deri tash, duke u shprehur se janë gabim të gjithë ata njerëz që e kanë marrë në qafë Kosovën.

“Është gabim Kosova me largu taksën pa njohjen, mos harroni këtë, janë gabim po ata të njëjtin njerëz që na kanë marr në qafë, që s’kanë  ditë me thanë ‘po e jo’, e na kanë lanë kështu që 20 vjet. Nëse ata njerëz manipulojnë me vend kështu, atëherë ne kurrë nuk e kryem punën tonë, gjithë jetën kemi me mbet pak pa e mbërri”, ka thënë ai.

Haradinaj ka theksuar se Kosova nuk duhet të ikë prej të drejtës së vet. Sipas tij, shpesh herë i është thënë Kosovës të shkrijë borën e parë, mirëpo, siç ka thënë ai “nuk ka dalur mirë”.

“Nëse shkrihet, duhet me u shkri në dy anët. Pa u shkri bora në dy anët, Kosova nuk e ka njet me ik prej të drejtës së vet dhe Kosova nuk e ka në plan me vonuar vetën më shumë. Pse e them këtë, neve na kanë thanë shpesh herë ‘shkrine borën ju të parët’, por nuk na ka dal ashtu. Pos kësaj ana tjetër vazhdon, me t’i largu gurët prej themeli, ne po na thonë zbutuni ju, mos harroni ne mundemi me u zbut, por nuk forcohemi më, se kur i humbë hapat gjatë nuk mundesh me i nxënë më”, ka shtuar ai.

I pari qeverisë, ndër të tjera ka thënë se lidershipi jonë është treguar i dobët karshi Serbisë, siç ka theksuar Haradinaj, Kosova duhet të thotë shumë hapur se nuk duhet të ikim nga e drejta jonë.

“Lidershipi jonë, për një kohë, sidomos ata që kanë marr vendime në shtet, e kanë zbutur tepër. Si rezultat i kësaj që pritën me u vazhduar me u zbutë hala, po na bën dëme. Duhet që Kosova me thanë shumë drejt, shumë hapur, shumë saktë se nuk ikim nga e drejta jonë”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka disa ditë që është duke përballur me presionin ndërkombëtar për largim të taksës. Ndërsa,nesër pritet të takohen me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett pikërisht për të diskutuar këtë çështje.

Back to top button