​Konjufca vizitoi Shtutgartin, “kryeqytetin” e diasporës shqiptare

Në përvjetorin e pavarësisë

Me rastin e 12-vjetorit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe 10-vjetorin e krijimit të Konsullatës së Republikës së Kosovës në Shtutgart, në manifestimin solemn, të organizuar nga konsullata, kanë marrë pjesë ministri i Jashtëm dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ish-presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga; nënkryetari i Parlamentit Evropian, Rainer Vieland; ministrja e Shtetit në Landin e Baden Vyrtembergut, Theresia Schopper, si dhe përfaqësues tjerë të shumtë të jetës publike shqiptaro-gjermane.

Ministri i Jashtëm Konjufca, pasi i ka përshëndetur në gjuhën gjermane rreth 400 pjesëmarrës të pranishëm, ka deklaruar se Baden Vyrtembergu dhe Shtutgarti janë Landi dhe qyteti qendror i shqiptarëve jashtë Kosovës.

Duke i informuar të pranishmit në lidhje me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të lartë të Kosovës në Konferencën e Sigurisë në Munih, Konjufca tha se bashkë me kryeministrin Albin Kurti kanë zhvilluar një numër të madh takimesh me zyrtarë gjermanë, dhe se takime të nivelit bilateral do të vazhdojnë në javët e ardhshme.

Nga ana e saj, ministrja e shtetit Schopper u shpreh se është e kënaqur që Baden-Vyrtemberg është bërë një shtëpi e re për kaq shumë shtetas të Kosovës dhe se Landi i Baden Vyrtembergut do të vazhdojë të qëndrojë pranë Republikës së Kosovës.

Pas fjalimeve që mbajtën edhe disa personalitete tjera, manifestimi vijoi me një program artistik të muzikës klasike, dhe përfundoi me koktej rasti, me ushqime tradicionale shqiptare për të pranishmit.

Back to top button