​Kurti: Në rrugën e bisedimeve me LDK-në e kemi një gur

Kurti tha se ende nuk ka asgjë konkrete

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka thënë se me Isa Musafën e LDK-në nuk janë ndalur takimet e komunikimet për arritjen e marrëveshjes për koalicion qeverisës, por theksoi se ka një pengesë në mes tyre, që ai e quajti një gur në rrugën e bisedimeve. Por, ai u shpreh optimist për një marrëveshje me partinë që doli e dyta, pas Vetëvendosjes, në zgjedhjet e 6 tetorit.

Në ceremoninë e pritjes së Ipeshkvisë së Kosovës për nderë të Festes së Krishtlindjes, Kurti iu përgjigj gazetarëve lidhur me takimet me Isa Mustafën, për ta cilat tha se po vazhdojnë.

Ai iu bashkua urimit të Don Lush Gjergjit, i cili i tha Kurtit se shpreson që sa më shpejtë proceset rreth krijimit të institucioneve të përfundojnë.

“Unë e falënderoj (Don Lush Gjergjin) për urimin që ne sa më parë t’i përmbyllim bisedimet e negociatat tona dhe të dalim me një qeveri të re ashtu siç e ka kërkuar populli në zgjedhjet e fundit. Në këtë rrugën e këtyre bisedimeve me partnerin tonë qeverisës, ne jemi kah fundi, kemi një gur në rrugë, nuk është as shkëmb as guralec, mirëpo me urimet më të mira të Don Lush Gjergjit, e me lutjet e të gjithëve dhe me punën tonë të përbashkët, besoj se do të ia dalim me sukses”, ka thënë Kurti.

Ai tha se komunikimet me LDK-në ndodhin çdo ditë.

“Edhe sot kemi kontaktuar, edhe dje edhe pardje, edhe nesër, këto nuk ndalen asnjëherë. Por takimet e kontaktet, thirrjet e bisedat nuk janë lajm, lajm do të jetë rezultati, të cilin ne po e presim me shumë dëshirë, ne më shumë se ju”, shtoi Kurti.

Kurti tha se ende nuk ka asgjë konkrete sa i përket një marrëveshje të mundshme mes palëve, ku theksoi se kur të ketë rezultate ato do të bëhen publike.

Back to top button